Për të dytën herë radhazi kombëtarja e Zvicrës është në çerekfinalet e një Kampionati Europian. Stiven Cuber zbulon se ku qëndron sekreti i suksesit të helvetëve.
32-vjeçari humbi dy ndeshjet e para në grup prej problemeve fizike. Vetëm në 1/ 8-at kundër Italisë, anësori mundi të regjistronte minutat e para të turneut si zëvendësues. Një situatë totalisht e ndryshme nga tre vite më parë, kur ai u bë asistuesi më i mirë në të gjithë turneun me katër pasime për gol.
“Unë me të vërtetë dua të vendos vulën time në këtë turne”, thotë Cuber para duelit kundër Anglisë. “Është gjithmonë më mirë të hysh si zëvendësues kur rezultati është 2-0 sesa kur është 0-2”. Edhe pse në dy vitet e fundit ai ka luajtur rrallë në kombëtare, ai i përket brezit të artë të Zvicrës. Ai luajti me Granit Xhakën (31) dhe Rikardo Rodrigezin (31) në U-19, dhe me Fabian Sher (32) dhe Silvan Vidmer (31) në U-21.
“Ne të gjithë luajtëm së bashku në një moshë shumë, shumë të re. Kjo është arsyeja pse ne i njohim anët e mira dhe të këqija të njëritjetrit”. Cuber nuk e sheh si problem faktin që të gjithë lojtarët e kësaj gjenerate janë mbi 30 vjeç. “Mosha nuk luan më një rol në futboll. Gjithçka ka të bëjë me cilësinë e lojtarëve”.
Ai dhe shokët e tij duan ta tregojnë këtë në çerekfinalen e së shtunës. Pas paraqitjes së madhe ndaj Italisë (2-0), me Anglinë pritet një ndeshje më e vështirë.
“Do të jetë një ndeshje krejtësisht e ndryshme nga ajo kundër Italisë, sigurisht. Ne duam të vendosim vulën tonë mbi të. Ky ka qenë virtyti ynë më i madh kohët e fundit, pa marrë parasysh se kë kemi përballë: ne duam të fokusohemi vetëm te vetja. Deri më tani po funksionon mirë”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co