“Kemi detyrë të ruajmë kreun”, Kristjan Asllani: Barela si vëlla, duhet të godas portën

kemi detyre te ruajme kreun kristjan asllani barela si vella duhet te godas porten
kemi detyre te ruajme kreun kristjan asllani barela si vella duhet te godas porten

Kristjan Asllani u rikthye që të ishte titullar pas disa ndeshjesh pushim dhe bëri një paraqitje me uljen-ngritje kundër Xhenoas.E nisi shumë mirë duke e qarkulluar topin shpejt, por pastaj pati vështirësi edhe për shkak të ritmit të lartë të Xhenoas. Megjithatë shqiptari është shfaqur i lumtur për fitoren dhe ka analizuar momentin në “Sky”.



Kristjan mos ndoshta jeni pak të lodhur në këtë pikë të sezonit?

Për mendimin tim jo. Skuadrat vijnë në “San Siro” për të bërë ndeshjet e tyre. Duhet t’i bëjmë komplimente Xhenoas, por ne u treguam të zotët për të pasur durim. Jemi të lumtur që e fituam me një goditje standarde sepse kjo do të thotë se ne punojmë gjatë javës.

Si e patë debutimin e portierit Martinez?

Ai është një portier i rëndësishëm. Jemi të lumtur që e kemi në skuadër. Nuk është e lehtë të luash pasi ke qëndruar jashtë për një kohë të gjatë. Ai është stërvitur mirë dhe të kesh lojtarë të tillë në skuadër është diçka e mirë për grupin.

Në pjesën e parë ishit duke folur me Barelën për vështirësinë e ndeshjes?

Ishim duke folur për gjëra që ndodhin në fushë. Po më thoshte që të zbrisja më shumë në fushë për të formuar linjën me 4 dhe kështu do të liroja Mkitarianin. U treguam të duruar.

Pse ishte një Inter i dobët në pjesën e parë?

Ndoshta sepse lëvizëm më pak sesa herët e tjera. E dimë që kur vijnë skuadrat këtu duhet të jemi më dinamikë. Duhet që të bënim kujdes në qarkullim sepse ata janë të rrezikshëm në kundërsulm.

Sa keq ju bëri humbja në Torino kundër Juventusit?

Sigurisht që kur humbasim nuk jemi aspak të lumtur, por e nisëm me këmbën e duhur që në stërvitje. Punuam mirë gjatë gjithë javës dhe ia dolëm që të merrnim kreun. Tani duhet ta shijojmë dhe ta mbrojmë.

Kush është duke të ndihmuar shumë në këtë sezon?

Të gjitha janë duke më dhënë një dorë dhe Barela është një prej tyre. Fakti që luajmë në të njëjtin repart bën që ta ndihmojmë shumë njëri-tjetrin. Jam i lumtur që kam këtë raport me të. Është si një vëlla i madh.

Mos ndoshta duhet që të godasësh më shumë në portë sepse mund të shënosh?

Golin e fundit e kam shënuar me goditje nga këndi. E di që duhet të punoj edhe për këtë aspekt. Ma thonë të gjithë që duhet të godas më shumë dhe duhet të përmirësohem në këtë aspekt.

Të jesh një alternativë e Çalhanoglusë është një privilegj apo një peshë?

Sigurisht që peshë nuk është. Por është e vërtetë që në këtë skuadër kur thirresh në apel duhet që të bësh mirë. Unë e kam thënë gjithmonë që duhet të marr përgjegjësitë e mia, por të kem Hakanin përpara është një ndihmë. Por nga ai thjesht mund të mësoj më shumë.

Si të këshillon Inzagi. A duhet që të qëndrosh gjithmonë pas topit?

Unë duhet që të isha më shumë prezent në fazën mbrojtëse sepse rivali kishte dy sulmues të zotët që bëjnë mirë. E rëndësishme është që fituam.

Lautaro duket se nuk ndalet kurrë…

Lautaro është i jashtëzakonshëm. Ai ka gjithçka. Përveçse është një lojtar i madh është edhe një njeri i madh. Flet me të gjithë edhe me ata që janë në ekipet e të rinjve. Jemi të lumtur që e kemi një kapiten si ai.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →