Auditi për Partitë politike, shkelje në raportimet financiare dhe pagesa në të zezë. Vendosen 108 gjoba

auditi per partite politike shkelje ne raportimet financiare dhe pagesa ne te zeze vendosen 108 gjoba
auditi per partite politike shkelje ne raportimet financiare dhe pagesa ne te zeze vendosen 108 gjoba

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Iliran Celibashi miratoi të martën raportin mbi gjetjet nga auditimi i raporteve financiare të partive politike, duke vendosur 108 gjoba gjithsej për moszbatim të dispozitave ligjore për transparencën financiare.

Për shkelje të dispozitave për financimin e partive politike, Celibashi vendosi sanksionin administrativ në masën 60 000 lekë për 94 partitë politike, ndërsa për shkelje të detyrimit për të raportuar u gjobitën 14 parti me 1 000 000 lekë secila.

Me shkelje në raportim dhe me pagesa cash të pajustifikuara janë gjetur dhe 3 parti parlamentare, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Social Demokrate, të cilat u gjobitën nga 60 mijë lekë.

Partia në pushtet është gjetur në shkelje pasi nuk ka raportuar të ndara shpenzimet e fushatës elektorale për zgjedhjet e pjessshme vendore të marsit 2022 dhe se ka bërë pagesa në të zezë, duke shmangur detyrimet tatimore.

“Pagesat e kryera për shpërblimin e fundvitit si dhe pagesat për punë shtesë nga disa punonjës të saj, nuk janë përfshirë në listë pagesat e raportuara në organet fiskale,” konstaton auditimi i PS-së.

Po ashtu, sipas auditit, PS nuk ka paraqitur në raport llogarinë për amortizim e ndërtesës që e ka me qera nga shteti.

Me parregullsi është gjetur dhe raportimi i Partisë Demokratike, për mosndarjen e shpenzimeve të fushatës nga raportimi vjetor. “Në pasqyrat financiare partia nuk ka paraqitur të ardhura dhe shpenzime për degët e saj, nisur nga fakti se viti 2022 ka pasur zgjedhje të pjesshme. Në pasqyrat financiare nuk janë paraqitur të ardhurat dhe shpenzimet e kandidatëve,” thuhet në raport.

Ndërsa Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, aleate me PS-në, ka parregullsi në likuidimet e pagave, të honorareve dhe ndihmave të cilat gjithashtu janë bërë në të zezë, mungesa në llogaritjen e tatimit në burim për këto pagesa, mungesë faturash për qiranë e selisë dhe blerje që nuk mbështeten me fatura tatimore elektronike.

E vetmja parti parlamentare që nuk është gjetur me probleme është ish- Lëvizja Socialiste për Integrim ( aktualisht Partia e Lirisë), e cila i ka shpëtuar sanksioneve.

Raporti evidenton se nga 131 parti politike të regjistruara në gjykatë, vetëm 48 parti i kanë dorëzuar në kohë raportet financiare.

Sipas KQZ-së, për 76 parti nuk u krye auditimi për shkak të adresave jo të sakta, 7 parti të tjera refuzuan të bashkëpunonin me audituesit ligjorë dhe 4 parti janë shpallur në listën e subjekteve me statusin pasiv nga organet tatimore.

Transparenca e financimeve të partive politike vijon të jetë një shqetësim, ndërsa KQZ i ka kërkuar Kuvendit mekanizma ligjorë që ky institucion të kontrollojë këto financime, sidomos rastet e përdorimit të aseteve publike në fushatë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →