Major Zeqir Bahitin, e kam njohur në Shëngjin, kur shkova për të kryer shërbimin ushtarak. Tri vjet, them që nuk janë pak për të njohur një njeri që, fare rastësisht, se unë ushtar qeshë dhe ai eprori më i lartë në repart, por ja që u bëmë miq. Unë nuk e di në rron ende apo jo? Në rron, le të bëhet 100-vjeç (tani duhet t’i jetë afruar ‘80-ave), dhe, në nuk rron, le të prehet i qetë, se, nëse e kujtoj me këtë shkrim timin, e bëj vetëm e vetëm, në shenjë mirënjohje e respekti.
Unë, atë dhjetor të vitit 1964, e kisha marrë flet-thirrjen për t’u mobilizuar në ushtri. Më ishte caktuar dhe data: 21 dhjetor. Por ja që, tek kisha vajtur me gjithë time shoqe (kisha dhe djalin 1-vjeç), tek njerëzit e saj, befas, m’u në vakt të drekës, ndjej që t’më thërresin. Dal dhe shoh një civil, i cili me një fletë-thirrje urgjent (ma paraqiti atë), më bëri apel që të nisesha pas tij për në Degën Ushtarake.
Sado i çuditur me këtë “thirrje-urgjent”, e ndoqa “civilin”, duke i lënë të shqetësuar si njerëzit e sime shoqeje, por ca më shumë dhe atë vet. Sa mbërrita në Degë, më hipën dhe “urgjent” në makinën mbushur me të tjerë që, sipas të madhit të Degës, vetëm mua më prisnin.
“Po unë e kam në datën 21 thirrjen dhe ju po më merrni sot”?! “Zbato urdhrin”, – pothuaj se hingëlliu ai, kryetari i Degës, që qe nga grada kolonel. Qeshë veshur si për dhëndër – se dhe dhëndër isha -, por, me që më morën me “urgjent”, më bën një favor.
Makina që do kalonte andej nga kisha shtëpinë, do qëndronte 10 minuta, sa të hiqja rrobat e dhëndërisë dhe të vishja rroba çfarëdo, e, mandej, mbi makinë, po për se ku? Qe “sekret ushtarak”. Kështu dhe bëra. Biçikleta mbeti në Degë dhe ai “civili”, do ta kthente në shtëpinë time.
Ngjita me një frymë shkallët e pallatit (ne banonim në katin e dytë) dhe, ndërsa i dhashë lajmin tronditës sime ëme, se po ikja ushtar, rrëmbeva një palë pantallona të grisura (zhele-mel, kur thonë shkodranët), i shtrëngova me një copë tel, në vend të rripit; po kështu një pallto të vjetër, që kish veç një pullë për të mbërthyer dhe, ndërsa nëna e shkretë dha kujën (a nuk gëzoheshin nënat, kur djemtë ikin ushtarë, sidomos për të mbrojtur kufinë? Shikoni këngët e popullit të asaj kohe!)
Kuja e saj, ngriti, si në alarm të gjitha gratë e lagjes, që kush e kush më parë vrapoi, që jo vetëm t’i mbanin “iso” në këtë kujë, por nga xhepat e përparësve, nxorën nga aq lekë sa kishin dhe, pasi më puthën të tëra nëpër faqe (dhe sot e ndjej atë grimasë dashurie dhe solidariteti), zunë dhe ato të qanin, njësoj sikur po përcillnin djemtë e tyre.
Makina kishte 14 rekrutë dhe, mes tyre, me tri katër njihesha që nga jeta civile. Kaq – mendoja, nuk është pak. Kot nuk thonë: i mbyturi kapet dhe prej fijes së kashtës. Kjo njohje, qe i vetmi ngushëllim imi, në këtë nisje “kollotumba” për në ushtri.
Udhëtimi për në atë vendin “sekret ushtarak” zgjati goxha. Natën mbërritëm në Lezhë dhe aso kohe, unë as kisha ardhur ndonjëherë këtyre anëve. Si lamë Lezhën dhe dolëm tek rruga që të çon për Shkodër (menduam se atje do të qe “sekreti ushtarak”), për çudi, makina mori kthesën, majtas, dhe frymën e mbajtëm 8 km. larg Lezhës, në Shëngjin.
Në errësirë as që e dinim se sa qe Shëngjini, veç shihnin se si dritat reflektonin mbi det dhe filluam të bëhemi romantikë. –“Sa bukur”! – fola unë që nuk e kisha zbërthyer gojën deri atëherë. Sotiraq Ferra (me të njihesha, se qe i vetmi librashitësi i Fierit), tip i shkathët, që nuk ia hante qeni shkopin kollaj, më thotë: – “Tani natën bukur është, por të shohim ditën. Se dita të hap sytë”.
Sa mbërritëm në “palcën” e Shëngjinit (Raqi kish të drejtë: këtë qytezë atë kohë mund ta futje në xhep dhe asgjë të bukur nuk kishte, përveç detit), bëmë dhe një kthesë tjetër, rreth një km., dhe ja tek mbërritëm tek “sekreti ushtarak”. Atje, sado vonë që erdhëm, po na prisnin. Si oficerët, po ca më shumë ushtarët e vjetër. Këta të fundit, nga përvoja, e dinin mirë, që rekrutët vinin me trastat plot dhe ndaj po prisnin.
Dhe nuk mbetën pa gjë. I vetmi që s’kisha marrë asgjë nga shtëpia, qeshë unë që më morën “kollotumba”. Në të vërtetë, nuk dola dhe aq i humbur. Ushtarët, të njohur e të panjohur, e morën veshë “grabitjen” time dhe ma mbushën trastën aq shumë, sa e pësova si ai djali i njerkës. Mesnata erdhi dhe na çuan drejt e tek kapanoni. Krevatët qenë dy-katësh dhe unë zgjodha katin e “parë”. Mbi mua: librashitësi, Sotiraq Ferra.
Por tek do sistemoheshin për gjumë, mbërriti rreshteri dhe mbasi na njohu me rregullat, papritur dhe pa kujtuar, më thotë: – “Ti, shok ushtar, je postë e parë”. Mandej i dyti Raqi dhe postë e tretë, nuk mbaj mënd se kush qe. Epo sipas vendi dhe kuvendi. Pa futur këmbët mirë, nisëm nga detyra. Kur u gdhi, na çuan që të gjithëve (ne qemë 14 fierakë), për pastrim territori.
Pas këtij veprimi, na sollën nga një pikël ujë, për të njomur duart e pista, se Shëngjini nuk kish ujë dhe bateria jonë qe paksa goxha larg nga deti. “Njomën” duart dhe shkuam për mëngjesin, që vetëm mëngjes nuk ishte. Po harro mushkë valarenë se Ali Pashanë e prenë, se më shumë bëmë sikur hëngrëm, se sa hëngrëm.
Sa mbaroi mëngjesi, një toger na priu përpara dhe duke çarë ferra e shkurre, më tepër nëpër një rrugë dhish, se malor qe terreni që po çanim, mbërritëm buzë detit. Qe 14 dhjetor 1964. Frynte një erë që të thante.
Aq erë frynte, sa më duket se ai shkrimtari indian, Prend Çadi, më kot ka shkruar për “Nënën e erërave”. “Nëna e erërave”, e ka vendin në Shëngjin, në Milot dhe në Tepelenë. Era e Shëngjinit – apo era e tri maleve, siç quhej, na i merrte kapat dhe na i vërviste në det.
Ne i vumë ato nën rripin e mesit. Po qe e kotë. Janina, siç duket, kish dava. Togeri na urdhëroi që jo vetëm të zhvisheshin gjysëm lakuriq, vetëm në të mbathurat, por kështu, deri mbi brez, në ujë. Një urdhër jashtë logjikës elementare, po ku ka logjikë në ushtri? Vet ushtria, a nuk është quajtur nga Napoleoni i madh “një marrëzi e domosdoshme”?!
U zhveshëm, u futëm në ujën e ftohët akull dhe atje dhjetëra metra larg nga bregu, kish mbetur në “cekëtinë” një anije e ngarkuar me dru zjarri. Detyra jonë qe që ta shkarkonim atë anije dhe drutë “t’i nxirrnim në stere” (tokë). Shumë ftohë, po trupi i njeriut, ambientohet kollaj. Mpihet dhe më nuk ndjen.
Togeri, si zhgabonjë mbi kokë. Ne tutje e t’hu dhe na dukej se ky kalvar i mundimshëm, nuk kishte për të mbaruar kurrë. Kur erdhi dreka, menduam se shpëtuam nga kusuri, po nuk qe e thënë. Ushtarakët punuakëshin si në kohë lufte. Pa mbaruar detyrën, s’ka as bukë dhe as pushim. Po thyhej dreka dhe, ndërsa puna vazhdonte, pamë që po vinte një oficer tjetër.
Togeri pamë që iu paraqit ushtarakisht dhe, sa mori komandën “qetësohu”, seç i tha dhe më oficerit të ardhur, dhe pastaj iku. Mbeti ky. Ky që erdhi, qe me gradë major dhe, siç na u prezantua, qe komisari i repartit. Epo, mendova unë, erdhi ky, komisari, dhe do shpëtojmë. Se më i moshuar po, por dhe me gradë më të lartë po. Pastaj ky është dhe më i madhi i Partisë e, do na qaj hallin. Po llogaritë, i kisha bërë pa hanxhinë.
Majori tek ndiqte me sy punën që po bënim (ne kishim mbi 6 orë që punonim), nuk mund mos i binte në sy, veçanërisht, puna ime. Se të them të drejtën, punën fizike s’e kam ngrënë kurrë dhe, tek më zuri halli me këtë anije “gogol”, sa herë që dilja nga ujë, sulesha andej nga shkurret, gjasme, për nevoja personale të ngutshme. Majori e kapërceu një herë, dy…dhe, kur më pa që prapë u lëshova andej nga shkurret, më thirri në raport:-
“Ushtar kush”? – “Ushtar Hysi”! – “Nga je ti shoku ushtar”? – “Jam nga Fieri, shoku major”! – “More, – më tha, – këtë mbiemër Hysi, se ku e kam hasur, në shumë ushtarakë, që nuk janë nga Fieri”,- tha ai qetë-qetë. Unë, duke u inspiruar, se vërtet nga fisi im, kish shumë ushtarakë dhe nuk ishin nga Fieri, i them:-“Prindërit e mi janë nga Skrapari”.
-“Hë, – bërtiti ai si Arkimedi, kur bërtiti “Eureka”, – “kështu mendoja dhe unë, por a e di ti, mik vëllai (më vonë këtë “mik vëllai” e kishte si me “licencë”, por do ta kuptoja kur ta njihja më mirë), më tha ai, “se nga këta ushtarakët e tu, njërin e kam mik dhe a e di seç thotë”? – “Po ku ta di unë”?-pyeta unë me naivitet. “Ja thotë kështu, – më tha pak si triumfues majori: – “Nuk kalohet dita, me të bërë shurrën! Prandaj, mos të shoh më nga shkurret, po shtrohu punës”.
“Të keqen, o toger, po pse ike? – thashë me vete. Ky, majori, qenka goxha “usta”. Ta bëka samarin, që të të rrijë pas kurrizit. Iu shtrova punës, se ç’do të bëja tjetër? Dita u thye goxha, po perëndonte dielli dhe unë, ca nga lodhja dhe ca mërzitja, ia plasa dhe majorit.
Iu afrova m’u tek këmbët (ai qëndronte mbi një trung aty mbi rërë (i ruajtur goxha nga era) dhe pa ma bërë syri tërr, në sytë gjithë shokëve të mi, i them:- “Shoku major”! – “Hë, mik vëllai, – më tha ai, – çfarë ke”? – “Kam dhe unë, – i thashë jo pa sarkazëm, – një mik nga Skrapari, që më ka mësuar një këngë”.
-“Çfarë kënge”? – u bë kurioz ai. “Aha,- thashë, të gjithë këngën nuk e mbaj mënd, po dy vargje i mbaj. Kënga thotë: – O derivish, o rondokop /drekë e darkë i ha tok”! Majori e kapi nëntekstin helm të vargjeve (ne, pothuaj, sharruam për të ngrënë) dhe, pa u nxehur fare, më tha: – “Qenke jo vetëm dembel, por dhe llafazan i madh. Me rregullore, duhet të të fusë në burg, por po të fal me kusht: e sheh atë trarin atje? Hidhe mbi kurriz dhe drejtimi drejt baterisë”.
Kësaj i thoshin: “më blofsh në krahë dhe mushkën prej dore”. Dhe e hodha atë të shkretë tra, tek majori u “kujdes” që askush mos ma lehtësonte barrën. Kur sosëm në bateri, dielli kish perënduar dhe gjella e kuzhinës (pjatat qenë shtruar që në drekë), qe e ftohtë akull, ngrirë anash lëngun, po uria ha dhe bërrylin. Si “disfatist”, shokëve rrugës u thashë: – “Këtu na kanë sjellë për të vdekur”.
Dhe sa të mirë: askush nga ata nuk qenë sytë e veshtë e “mbretit” se dhe kaq, jo qe mjaft, por pak si tepër, për të sosur në birucë si disfatist apo dhe si armik. Pasi hëngrëm atë gjellën e ftohtë-dhe gjuha ime s’ndenji pa llapur: për të vdekur dhe po hamë gjellë të vdekuri.
Por gjella, sado e ftohtë, na mbushi me energji, se nuk duhet të qe ndryshe, se sa Kristaq Prifti (ah se ç’njeri i mirë dhe bujar që qe. I qoftë dheu i lehtë ku prehet, se e mbytën me gaz, në vitet e demokracisë) kapi fizarmonikën dhe ne, sikur të kishim ardhur për dasëm, zumë e po kërcenim. Unë duke harruar seç hoqa, qoftë dhe nga trari mbi kurriz, u them shokëve: – “Ju paskam gënjyer. S’kemi për të vdekur”.
Dy ditë pas kësaj ndodhie, ne kishim zbritur tek ndërtesa e shtabit. Kjo qe ndërtuar në kohën e Zogut dhe dukej si një relikë, krahasuar me të gjithë të tjerat, që kish atëherë Shëngjini. Dhomat për zyra ishin të mëdha, shtruar me pllaka të çmuara dhe veç, zyrave, ishte dhe Këndi i Kuq. Në holl (goxha i bollshëm dhe ai) një fushë bilardoje, një fushë ping-pongu dhe mu në mes, mbi një tavolinë (rreth saj dhe kolltukë dhe karrige, ta bënte me sy një tabelë shahu, me gurë të punuar për qejf.
Unë i kam lojtur të gjitha lojërat, por, veçanërisht, shahun dhe letrat. Sa pashë tabelën e shahu, ngacmuar nga një instinkt që s’e mposhta dot, u lëshova dhe kapa gurët me dorë. Një oficer që më pa, më thotë: – “Pse, ç’mendon ti, shoku ushtar, për shah të kemi thirrur këtu”?! U skuqa sikur të kish bërë faj dhe, tek po bëhesha gati të kërkoja falje, se nuk frenova veten, befas u duk majori: “mik vëllai”!
Ai, siç duket, e vuri re pasionin tim dhe më tha: – “Kjo loja, nuk është ashtu si me shkurret. Oficerët për rreth, ia dhanë të qeshurit. Unë nuk e dija atëherë, se majori në vitet ’50-të kish bërë emër si shahist, dhe vuante po nga ajo “sëmundje” që vuaja dhe unë. Ai zuri vend përballë dhe më ftoi dhe mua në “dyluftim”. Kapi dy gurë, e mbylli dorën dhe më tha që të zgjidhja. Më ra i bardhi. “Shumë mirë,- buzëqeshi ai. I bardhi që do ta nxish”.
Oficerët u shkërmoqën. Luante i madhi i tyre dhe “eunukët”, a nuk qeshin kur qesh “Veziri” a ca më shumë: Sulltani? Gjithmonë goja nuk më ka lënë rehat. I them: – “Jam ushtar vërtet, por në shah jam gjeneral”! Kaq u desh, dhe shefi i Zbulimit (ai kishte antena më të “mprehta”, si servil), i thotë: – “Shoku major, si i duron ti, me t’fye njëky, bythë-ushtarit”?!
– Majori as që ua vuri veshin këtyre eunukëve mediokër, po u përqendrua në lojë. Unë e fitova lojën e parë dhe, kur po bënim të dytën, zura, siç e kam zakon kur luaj, pothuaj sikur këndoja dike përsëritur ,me entuziazëm; “Shah, shoku major! Shah”. Majori nuk ndjehesh kur luante. Kur ndjente humbjen, ai zinte e skuqej (se qe pak i kuq në çehre prej natyre) dhe mendonte si të dilte nga gracka e matit.
Ky takim imi me të, mbaroi tre me një. – “Të rrafa”, bërtita tërë entuziazëm unë. Po për çudi, ai me një qetësi olimpike që nuk e kam vërejtur tek askush, më tha: – “Jo, mik vëllai, nuk më ke rrahur. Ne jemi ndarë barazim”! – “Po si u ndakemi barazim, kur unë fitova tri lojë dhe ti, vetëm një”?! Dhe ai – “epo prandaj nuk kam se si e harroj, më thotë: – Ti fitove vërtet. Dhe ke marrë një fitore të madhe. Unë, a nuk fitova njëherë? Pra, dhe unë kam marrë një fitore të vogël. Pra,jemi barazim, mik vëllai. Kupton apo jo”?
Dhe më përqafoi duke më falur shumë miqësi. Më vonë, ne ndesheshim shpesh herë me të. Dhe ndaheshim po “barazim”: se paska dhe fitore të mëdha dhe fitore të vogla. Një shkallë “barazimi”, që kish shpikur ai burrë i zgjuar dhe i mirë.
Epilog:
Marrja para kohe për në Shëngjin, nuk kish ndodhur kot. Njeriu që merrej me rekrutimet në Fier, kish ngrënë “ryshfet” dhe kish hequr dikë nga lista dhe shpejt e shpejt me laps, kish shkruar emrin tim. Pra, ika “bedel” për dikë tjetër. Por jo çdo e keqe, thotë populli, sjell veç keq. Ryshfetçiu, nuk kish ku gjente, shpejt e shpejt të dhënat për mua, dhe tek kartoni kish shkruar me laps, se unë isha; nipi i gjeneral….Hysit.
Kaq dhe a kishte “kartabjankë” më të fortë se kaq, për t’më përcjell “kollotumba” për në Shëngjin?! Kjo “kartabjankë”, qe si garanci e fortë, që unë u futa në zyrë sekrete. Gjeneralin unë, nuk e kisha xhaxha, por kushëri, madje paksa të largët. Xhaxhanë tim, (Hilmi Hysi, me Grupin e Deputetëve në 1947-ën), e kish pushkatuar Enveri. Po kur u bë dhe fakti i kryer, se ky “xhaxhai” gjeneral, erdhi një ditë dhe me takoi atje tek garnizoni.
Tani nuk kishe si i vije anës asaj pune. Drejt e tek zyra sekrete dhe u bëra u privilegjuar. Me majorin, mik vëllai, u bëmë shumë miq, se loznim shah, ku unë merrja një të madhe dhe ai një të vogël, dhe dilnim “barazim”,por nëse e kujtoj atë,është fakti se, sado që qe përfaqësuesi i partisë në repart,kurrë nuk dënoi ndonjë ushtar dhe qe,gjithmonë,afër halleve të tyre.
Në “gjyqet” e vogla ushtar-oficer, major Zeqir Bahiti, mbante anën e ushtarëve. Veç shahut, kishte pasion peshkimin dhe zyrën e “komisarit”, e kish kthyer në “magazinë të mjeteve të peshkimit”. Kushdo që vinte për ta inspektuar nga lart, pritej tek zyra e komandantit se e tija, “ishte e prishur nga lagështira”. Kam shumë kujtime për Zeqir Bahitin, por, ndoshta, vazhdoj një herë tjetër. Memorie.al/
Nga Përparim Hysi
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co