
Zoti nuk është kursyer aspak me bekimin që i ka bërë Ernest Muçin. Ky lojtar mund të quhet padyshim më i talentuari që ka nxjerrë toka shqiptare në të paktën 10 vitet e fundit. Një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm dhe që mund të arrijë në nivelin më të lartë të futbollit, me ekipet elitare të Europës.
Por mbrojtësi më i pakalueshëm për Ernest Muçin është vetë…Ernest Muçi. Duhet thënë se përtej gjithë lëvdatave të merituara për të, shqiptari ka një problem me menaxhimin e situatës dhe vazhdueshmërisë. Është pikërisht mungesa e vijmësisë që e bën Muçin të mos e prek elitën në këtë moment. Pas një ndeshje brilante kundër Atletiko Bilbaos, pra kundër mbrojtësave më të mirë të La Liga-s, Muçi bëri tre ndeshje radhazi jo shumë të pëlqyeshme.
Kështu Solskjaer e uli në stol Muçin për ndeshjen e djeshme mes Beshiktash dhe Trabzonspor, të mbyllur në shifrat 2-1. Sulmuesi shqiptar do të aktivizohej vetëm në minutën e 77, kur mori vendin e Rashicës. Një tjetër eksperiment për Muçin që te Beshiktashi nuk ka luajtur kurrë në rolin e preferuar, atë mbrapa sulmuesit. Këtë herë ai nuk gjendej as në krahun e majtë, por atë të djathtë të sulmit.
Kjo nuk mjaftoi që Muçi të bënte një paraqitje të dobët, në stadiumin e stërmbushur. Që në prekjen e parë të topit, me elegancën dhe talentin e madh, Ernesti la në vend dy lojtarë të Trabzonspor me një kthesë të papritur, duke e detyruar njërin prej tyre që ta tërhiqte nga fanella dhe të ndëshkohej me karton të verdhë, e vetmja mënyrë sesi mund ta ndalte.
Por akoma më e bukur ishte skena në fundin e ndeshjes. Në sekondën e fundit të takimit, Beshiktashi kishte fituar një korne dhe Gedson Fernandes i kërkoi Muçit që ta ekzekutonte. Megjithatë shqiptari nuk e dëgjoi dhe e la Fernandesin që ta ekzekutonten dhe më pas shqiptari të mbante topin. Një vendim që u duk i çuditshëm pasi Muçi nuk shquhet për ndonjë forcë fizike dhe të gjithë lojtarët e Trabzonsporit gjendeshin pranë tij për t’i rrëmbyer topin sa më parë. Por në fakt Muçi bëri të kundërtën, veproi zgjuarsisht dhe me elegancë, duke nisur me driblimet i vetëm në zotërimin e topit dhe duke nxjerrë huq të paktën 6 lojtarë të Trabzonsporit në atë aksion me driblimet e tij dhe lëvizjet e paparashikuara, derisa pasoi te shoku i ekipit dhe arbitri i ndali hovin duke sinjalizuar fundin e takimit. /Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news