Një vendim për riklasifikimin e mundshëm të marijuanës si drogë më pak e rrezikshme në Shtetet e Bashkuara, do të merret pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, çka do të thotë se kjo çështje mund të jetë një nga temat me peshë në garën e ngushtë mes dy kandidatëve.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për luftën kundër drogës (DEA), më 2 dhjetor do të zhvillojë një seancë dëgjimore lidhur me propozimin për të ndryshuar politikën federale për këtë substancë. Kjo do të thotë se vendimi përfundimtar mund të merret nga administrata e ardhshme.
Megjithëse teknikisht është e mundur që ky vendim t’i paraprijë përfundimit të mandatit të Presidentit Joe Biden, marrja e tij përpara Ditës së Inaugurimit “do të ishte mjaft e përshpejtuar”, thotë avokati Brian Vicente i cili mbron të drejtën e përdorimit të kanabisit.
Një gjë e tillë mund të vërë në qendër të vëmendjes qëndrimet e kandidatëve presidencialë për marijuanën. Nënpresidentja Kamala Harris ka mbështetur dekriminalizimin e saj dhe ka thënë se është “absurde” që marijuana të jetë në një njëjtën kategori klasifikimi të drogave si heroina dhe LSD-në (një haluçinogjen i fuqishëm). Qëndrimi i kandidates demokrate ka ndryshuar me kalimin e viteve; ajo dikur mbikëqyrte masat për zbatimin e ligjit lidhur me kanabisin dhe kundërshtonte legalizimin e përdorimit të saj për të rriturit në Kaliforni, nëse nuk ishte për arsye mjekësore, kur kandidonte për postin e prokurores së përgjithshme të shtetit në vitin 2010.
Ish-Presidenti Donald Trump, kandidati republikan, sinjalizoi të shtunën mbështetjen për një nismë legalizimi në Florida, pas komenteve të mëparshme se ai është gjithnjë e më i bindur se njerëzit nuk duhet të burgosen për përdorimin e kësaj droge që tashmë është e ligjshme në shumë shtete, pavarësisht nëse kjo “është gjë e mirë apo e keqe.”
Gjatë kandidimit për president në vitin 2016, zoti Trump tha se mbështeste përdorimin e marijuanës për arsye mjekësore dhe se kjo çështje duhet t’i lihej shteteve për të vendosur. Por gjatë mandatit të tij të parë, Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm Jeff Sessions rrëzoi një udhëzim të administratës së ish-Presidentit Barack Obama që i ndalonte autoritetet federale të godisnin përdorimin e kanabisit në ato shtete ku ai ishte i ligjshëm.
Departamenti i Drejtësisë propozoi riklasifikimin e marijuanës në maj, duke thënë se ky ndryshim do të merrte parasysh përdorimin mjekësor të marijuanës, si edhe faktin se ajo ka më pak potencial për t’u abuzuar sesa disa nga drogat më të rrezikshme që janë në qarkullim. Propozimi, i cili nuk do të legalizonte marijuanën për përdorim personal, u bë pas një thirrjeje për shqyrtim nga Presidenti Biden, i cili e ka quajtur ndryshimin “monumental”.
Klasifikimi i ri do të ishte ndryshimi më i rëndësishëm në politikën amerikane për drogat në 50 vitet e fundit dhe mund të jetë një çështje e fuqishme politike, veçanërisht për votuesit në moshë të re. Por ajo përballet me kundërshtimin e disa grupeve që argumentojnë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për ta vendosur kanabisin në kategorinë e lëndëve më pak të rrezikshme.
Propozimi, i cili u nënshkrua nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, pasoi një rekomandim të Departamentit të Shëndetësisë. Politika federale për këtë drogë ka mbetur prapa asaj të shumë shteteve të vendit. Gjatë viteve të fundit, 38 prej tyre e kanë legalizuar tashmë marijuanën mjekësore dhe 24 kanë legalizuar përdorimin e saj për qëllime personale argëtimi.
Ligjvënësit nga të dyja partitë kryesore politike kanë kërkuar ndryshime, pasi marijuana është bërë gjithnjë e më shumë e dekriminalizuar dhe e pranuar.
Një sondazh i Gallup-it vitin e kaluar gjen se 70% e të rriturve mbështesin legalizimin, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë nga kjo organizatë.
Megjithatë, efekti i ndryshimit të klasifikimit të saj, tek sistemi penale, ka të ngjarë të jetë më pak i dukshëm, pasi ndjekjet penale në nivel federal, për posedim të marijuanës për përdorim vetjak, kanë qenë mjaft të rralla vitet e fundit./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co