Zbardhen detaje të reja nga operacioni i Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit te Kadastra e Durrësit.
Pesë persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjetër janë në kërkim pasi akuzohen se bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar dokumentet e një toke me sipërfaqe 151 000 m2, në lagjen nr. 15, Durrës.
Në pranga ka rënë edhe ish-kandidati i PS-së në Durrës, Ardit Kërtusha 33-vjeç, ish-kryetar i FRESSH. Ardit Kërtusha kandidoi për kryetar të PS Durrës në 2020 dhe më pas u tërhoq nga gara. 31-vjeçari në zgjedhjet e 25 prillit 2023 kapërceu nga PS për tek PD.
Më 16 maj të 2022, Ardit Kërtusha i shpëtoi një atentati në një lokal të frekuentuar në zonën e Currilave në Durrës në pronësi të këngëtarit Noizy, ku ai mbeti i plagosur. Atentatori ishte me kapuç dhe me dy pistoleta ndërsa qëlloi në drejtim të Kërtushës katër herë. Fatmirësisht autorit iu bllokua arma.
Ardit Kërtusha, së bashku me ish-drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Leonard Kadrimi dhe një zyrtar tjetër me inicialet M. Z., në kërkim, dyshohet se duke shpërdoruar detyrën në ASHK Durrës, kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, bën të ditur Prokuroria.
Ardit Kërtusha, 33 vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, të dy banues në Durrës, akuzohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Caktimin si masë sigurimi ndaj shtetasit Ardit Kërtusha, I biri I Islam dhe I Merita, I dtl.12.01.1991, lindur në Durrës dhe banues në Lagja nr.15, Rruga “Aleksandër Goga” Durrës, me shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, gjendje familjare I martuar, gjendje gjyqësore I padënuar, ID nr.J10112072A, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimi” dhe “Pastrimi I produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 143/3 e 25 dhe 287/2 germa”a” të Kodit Penal, atë të “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 të K. Pr. Penale“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co