Miliarderi francezo-rus Pavel Durov, kryetar dhe shef ekzekutiv i platformës “Telegram”, i cili u arrestua në Francë me akuza në lidhje me krimin e organizuar, është gjithashtu objektiv i një hetimi për dhunë të rëndë ndaj një prej fëmijëve të tij në Paris.
Hetimi, i hapur së fundmi nga zyra franceze e mirëqenies së fëmijëve, ka të bëjë me djalin e Durovit, i lindur në vitin 2017, i cili tani jeton në Zvicër me nënën e tij. Dhuna e supozuar ka ndodhur në Paris, sipas AFP.
Nëna e të miturit, ngriti një padi në Zvicër në vitin 2023, duke akuzuar ish-partnerin e saj për abuzim me një nga fëmijët e tij.
Pavel Durov, 39 vjeç, pronar i një pasurie të vlerësuar nga revista amerikane Forbes në 15.5 miliardë dollarë, u arrestua të shtunën në Francë si pjesë e një hetimi tjetër pas mbërritjes së tij në aeroportin Bourges, afër Parisit, ku do të hante darkë.
Drejtësia franceze e akuzon atë në këtë rast se nuk ka vepruar kundër shpërndarjes së përmbajtjes kriminale, si trafik droge, pornografi me fëmijë, mashtrim, pastrim parash, në lidhje me menaxhimin e tij të Telegram, që ai themeloi në vitin 2013 me vëllain e tij, Nikolai, dhe që ka më shumë se 900 milionë përdorues.
Paraburgimi i tij ka zgjatur gati katër ditë dhe sot ai është paraqitur në gjykatë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co