Në shtëpinë e Inter ka nisur numërimi mbrapsht për të festuar titullin e 20 në histori. 10 ndeshje përpara fundit, ekipi i Inzaghi-t ka një avantazh të jashtëzakonshëm, plus 16 nga Milan dhe 17 nga Juve, dy rivalët e vetëm në letër, rival që mund t’i shtyjnë festën, pasi t’i rrëmbesh titullin zikaltërve këtë sezon është e pamundur.

As që e imagjinojnë këtë përfundim në Milano, por tifozët po mendojnë skenarin më të mirë për të festuar këtë titull të veçantë pasi do t’i jepte yllin e dytë në fanellë. Skenari më i mirë për të festuar titullin është në derbi përballë Milan, në program për t’u zhvilluar në javën e 33-të.

Për të arritur këtë qëllim, Inzaghi dhe të besuarit e tij duhet ta dërgojnë në 14 numrin e fitoreve radhazi, pra i duhen edhe 4 fitore, kundër Napoli, Empoli, Udinese dhe Cagliari, për t’u përballur më pas me Milan në një sfidë ku duhet të fitojnë për të festuar matematikisht titullin kampion.

Sigurisht në këtë skenar, jo çdo gjë është në dorë të Interit pasi kjo varet edhe nga ecuria e rivalëve, Milan dhe Juve. Çështja titull është e mbyllur edhe për kompanitë e basteve të cilat e kanë hequr si opsion, cili do të shpallet kampion në Serie A, por një fitore e mundshme e Milan kuotohet me koeficientin 81, ndërsa një fitore e mundshme e Juves me koeficientin 101.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co