Të meta në inteligjencë, raporte kontradiktore, ndërhyrje të huaja.
Vrasja e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh është një mister me plot mospërputhje. Në Teheran, politikani palestinez duhet të ishte në vendin më të sigurt në botë, por në vend të kësaj ai u vra në vendin ku e gjithë bota islame po festonte inaugurimin e presidentit të ri iranian.
Rrethanat ende të paqarta rreth vrasjes duhet të shkaktojnë edhe më shumë shqetësim tek qeveritë në mbarë botën, duke qenë se kjo ngjarje ka çuar në një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Gaza, duke përforcuar shtrirjen e tij në shkallë globale.
Irani deri më tani gëzonte një reputacion si një strehë e sigurtë për liderët e huaj, madje edhe ata të lidhur me terrorizmin ndërkombëtar. Prandaj regjimi del nga kjo histori më i brishtë, paranojak dhe i depërtueshëm ndaj infiltrimit. Përveç hipotezës së qartë të Izraelit, nuk është e qartë se kush tjetër e donte vdekjen e Haniyeh, i konsideruar nga shumë si një i moderuar brenda lëvizjes islamiste, në një kohë kur Tel Aviv dhe Hamasi, dukeshin afër një armëpushimi. Vrasja e liderit palestinez në një apartament në katin e katërt të një vendi të konsideruar “të sigurt”, në një qytet të hiper-kontrolluar si kryeqyteti iranian, është një enigmë ende për t’u deshifruar.
Ku ishte Haniyeh kur u vra
Gazeta arabe e lajmeve Al-Arabya vuri në dukje se udhëheqësit e Hamasit dhe Irani kanë dhënë versione të ndryshme se si u vra Ismail Haniyeh. Lideri politik i Hamasit ndodhej në Iran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri iranian, Masoud Pezeshkian. Në fund të ngjarjes, Haniyeh u kthye në rezidencën e tij në Teheranin verior, një ndërtesë në Zafaraniyeh, tha për Al-Arabya Khaled Qaddoumi, përfaqësues i Hamasit në Teheran.
Zëdhënësi i Hamasit për mediat iraniane dhe ndërkombëtare saktësoi se akomodimi “nuk ishte sekret”, por “ishte i njohur për shumë njerëz”, pasi ishte gjithashtu një vend “i rezervuar për mysafirë të rangut të lartë”. Dëshmia e Kadumit vazhdon: “Sakërisht në orën 1:37 të mëngjesit, ndërtesa pësoi një tronditje. Unë u largova nga vendi ku qëndroja dhe pashë tym të dendur. Më vonë, mësuam se Haj Ebu al-Abd [siç quhej Haniyeh] ishte martirizuar”.
Çfarë tha Hamasi për vrasjen
Përfaqësuesi i Hamasit në Iran tha se besonte se ishte bubullima ose një tërmet, por duke u ngjitur në katin e katërt të rezidencës “ku ishte martiri, zbuluam se muri dhe tavani i dhomës ishin shembur dhe shkatërruar”. Qaddoumi tha: “shfaqja e vendit pas sulmit dhe gjendja e trupit të liderit martir Ismail Haniyeh tregojnë qartë se sulmi u krye nëpërmjet një predhe ajrore, një rakete ose një granate”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Deklaratat e Qaddoumi janë në përputhje me atë që u deklarua nga Khalil al-Hayya, kreu i Hamasit në Gaza, në një konferencë shtypi të mbajtur disa orë pas vrasjes së Haniyeh, duke folur për një raketë që “goditi drejtpërdrejt dhomën ku po qëndronte Haniyeh, dhe ne presim hetime zyrtare”.
Nga sulmi ajror te mjeti shpërthyes
Agjencia iraniane e lajmeve Fars, e drejtuar drejtpërdrejt nga Garda Revolucionare Islamike, e cila supozohej të garantonte sigurinë e liderit të Hamasit, fillimisht raportoi në mënyrë të paqartë se “diçka” kishte synuar rezidencën, pa specifikuar natyrën e saj. Ndërsa versioni i sulmit ajror u përhap në shtypin ndërkombëtar, New York Times hetoi, duke pretenduar se vdekja ishte shkaktuar nga një mjet shpërthyes, i futur në bujtinë ku qëndronte lideri i Hamasit. Një version që sugjeron infiltrim të jashtëm, i cili i lejoi atentatorët të fitonin akses parandalues në ndërtesë për të instaluar bombën.
Çfarë të presësh tani nga Irani
Vetëm pas publikimit të artikullit të New York Times, agjencia iraniane Fars publikoi një raport që konfirmonte përdorimin e një bombe, duke specifikuar se “entiteti sionist e kishte planifikuar dhe ekzekutuar këtë akt terrorist”, por pa dhënë detaje të mëtejshme. Raporti i Al-Arabya arriti në përfundimin se “në mungesë të një narrative të plotë zyrtare, ekzekutimi i vrasjes së Ismail Haniyeh mbetet misterioz, pavarësisht nga identiteti i njohur i autorëve”.
Për analistët është e sigurtë se kjo vrasje përfaqëson një të metë gjigante në shërbimet e sigurisë së regjimit iranian. Kjo dëshmon minimalisht depërtimin e inteligjencës së huaj brenda Republikës Islamike. Me pak fjalë, dikush nga brenda e tradhtoi regjimin.
Përgjegjësitë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike
Mesazhi i dërguar Khameneit dhe aleatëve të tij është se as në Teheran nuk mund të jetohet në paqe dhe jashtë mundësive të armiqve, kushdo qofshin ata. Koka e parë e hedhur është ajo e ministrit iranian të inteligjencës në largim, Esmail Khatib, i cili vetëm në fund të korrikut ishte mburrur me një rezultat të shkëlqyer për mandatin e tij tre-vjeçar: “Çmontimi i rrjetit të infiltrimit të Mossad” në Iran.
Vetëm gjashtë ditë më vonë, vrasja e Haniyeh dëshmoi pikërisht të kundërtën. Së bashku me ministrin, përgjegjësitë bien kryesisht mbi Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), gjithashtu përgjegjëse për sigurinë e udhëheqësit palestinez. “Brenda strukturave të brendshme të IRGC-së, boshti i sigurisë-inteligjencës është i ngulitur në Organizatën e Gjithëfuqishme të Inteligjencës së IRGC-së”, shkroi në Foreign Policy Kasra Aarabi, një studiuese në Institutin e Lindjes së Mesme e specializuar në Korpusin e Gardës Revolucionare, dhe Jason M. Brodsky drejtor politik në Institutin e Bashkuar kundër Iranit Bërthamor.
“Aftësia e Izraelit për të vrarë Haniyeh në një kompleks të mbrojtur nga IRGC, në një kohë kur Organizata e Inteligjencës IRGC do të kishte qenë në gatishmëri të lartë, do të ndryshojë dinamikën e perceptuar të strehës së sigurt të Iranit. Vrasja do t’i bëjë liderët terroristë të mendohen dy herë përpara se të kërkojnë strehim atje dhe ka të ngjarë të komplikojë marrëdhëniet midis regjimit iranian dhe përfaqësuesve të tij”, theksuan dy studiuesit. “Kjo është një pengesë e rëndësishme për regjimin,” përfundojnë ata.
Krahas përgjigjes kundër Izraelit, analistët thonë se regjimit iranian do t’i duhet të përballet me paranojën e infiltrimit të huaj, të cilën nuk ka arritur ta zhdukë pavarësisht dominimit të padiskutueshëm politik që ka mbetur që nga vitet e revolucionit iranian. Shumë dhimbje koke për liderin suprem Ali Khamenei. Ajatollahu tani 85-vjeçar do të kishte preferuar të përgatitej për një pasardhës të rregullt. Së pari vdekja e papritur e Presidentit Ebrahim Raisi, dhe tani vrasja e liderit politik të Hamasit, mund të destabilizojnë hierarkitë e regjimit dhe marrëdhëniet e tij me grupet aleate, si Hamasi, Hezbollahu dhe Al-Qaeda, të cilat deri më tani ishin mbështetur në mbrojtjen e Teherani.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co