SHBA, lufta kundër lajmeve të rreme drejtuar komunitetit hispanik

shba lufta kunder lajmeve te rreme drejtuar komunitetit hispanik





































Popullsia hispanike në Shtetet e Bashkuara mbështetet tek mediat sociale për t’u informuar. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo, dezinformatat në mediat sociale përhapen me shpejtësi. Redaksitë e lajmeve dhe nismat mediatike po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të luftuar përhapjen e lajmeve të rreme dhe për të mirinformuar publikun në prag të zgjedhjeve amerikane të nëntorit.

rrjete sociale

Në Shtetet e Bashkuara, mediat hispanike të lajmeve po përpiqen të luftojnë lajmet e rreme dhe t’u shpjegojë komuniteteve se si dhe ku të votojnë.

Këtë vit zgjedhor njerëzit po kërkojnë të jenë më të informuar dhe kanë shumë pyetje. Kur ndajmë një lajm, gjithmonë kemi pyetje në lidhje me të”, thotë Claudia Ginestra me gazetën javore “El Tiempo Latino” që publikohet në kryeqytetin amerikan.

Gazeta raporton lajme që prekin interesat e komunitetit hispanik dhe shfrytëzon rrjetet sociale për të komunikuar me audiencën.

“Aktualisht, videot e shkurtra që postojmë po tërheqin shumë njerëz. Kjo është mënyra më e shpejtë dhe efikase për të komunikuar me audiencën”, thotë për Zërin e Amerikës gazetarja Claudia Ginestra.

Anketat e Qendrës Kërkimore Pew tregojnë se hispanikët informohen kryesisht përmes internetit dhe mediave sociale. Ata përdorin aplilacionet WhatsApp, Telegram dhe Instagram, sipas kompanisë mediatike Nielsen.

Për t’i ofruar komunitetit informacionin që u nevojitet, gazeta “El Tiempo Latino” përdor mjete të kontrollit të fakteve ose kërkon ndihmën e organizatës partnere “Factchequeado”.

E themeluar në vitin 2022, organizata jofitimprurëse vëzhgon keqinformimin dhe dezinformatat e lajme në komunitetin latin dhe hispanik në Shtetet e Bashkuara.

“Ndërsa afrojnë zgjedhjet e nëntorit, komuniteti përballet me shumë sfida. Po ashtu, edhe ne që përpiqemi t’i informojmë ata kemi shumë sfida”, thotë themeluesja e organizatës “Factchequeado” që kontrollon faktet, Laura Zommer.

Një prej sfidave është edhe inteligjenca artificiale.

“Për shembull, në TikTok shohim që një video publikohet me një lajm dezinformues dhe më pas shohim dy video të tjera me të njëjtin lajm nga përdorues të ndryshëm, por që thonë të njëjtën gjë”, tregon zonja Zommer.

Keqinformimi synon përhapjen e lajmeve të rreme.

“Një lajm i rremë që përhapet shumë është teoria konspirative që pretendon se jo shtetasit amerikanë po votojnë”.

Shpejtësia është çelësi për të luftuar përhapjen e lajmeve të rreme, të cilat përhapen me nxitim në mediat sociale, thotë zonja Zommer.

Por organizata “Factchequeado” ka në dispozicion një mjet të fuqishëm, bashkëpunimin me dhjetëra partenerë në 22 shtete. Redaksitë e lajmeve si “El Tiempo Latino” përdorin organizatën “Factchequeado” për të verifikuar të dhënat.

“Komuniteti hispanik nuk po informohet sa duhet ose po keqinformohet kur bëhet fjalë për politikën. Por ne po shohim që audienca jonë kërkon të informohet dhe të mësojë”, thotë Marcos Porras me gazetësn “El Tiempo Latino”.

Mes të tjerash, gazeta poston në median sociale video shpjeguese mbi procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Synimi është për të plotësuar mungesën e të dhënave që mund të shfrytëzohet nga elementë negativë për të përhapur lajme të rreme apo dezinformata./voa

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →