Rusia i ka vazhduar sulmet kundër zonave civile në Ukrainë të enjten, duke vrarë civilë dhe duke shkaktuar dëme materiale, thanë ushtria ukrainase dhe zyrtarët rajonalë.
Së paku dy civilë u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën nga granatimet ruse në katër rajone të Ukrainës, ndërsa qyteti i portit në Detin e Zi, Odesa, ishte në shënjestër të sulmeve raketore ruse përsëri, thanë zyrtarët rajonalë të enjten.
Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se një burrë 70 vjeç u vra nga një sulm raketor rus në fshatin Borova, ku gjithashtu tetë civilë, përfshirë pesë fëmijë, u plagosën.
Guvernatori rajonal i Donjeckut, Vadym Filashkin, tha se një person u vra nga granatimet ruse në Netailove dhe tre të tjerë u plagosën. Oleksandr Prokudin, guvernatori i rajonit Herson, raportoi se katër njerëz u plagosën nga granatimet ruse mbi këtë rajon.
Një burrë u plagos në fshatin Bilenka në jug të rajonit Zaporizhja më 6 mars, sipas kryetarit të administratës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov.
Ushtria ukrainase tha se rusi e sulmoi Odesën, mbase duke përdorur raketë balistike, dhe e goditi infrastrukturën e portit.
Këto sulme i kryen një ditë pasi disa njerëz u vranë nga një sulm raketor rus, i cili goditi rreth 500-800 metra larg presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrit grek, Konstantin Mitsotakis, të cilët po e vizitonin Odesën në atë kohë.
Guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper, shkroi në Telegram të enjten se nga ai sulm “kishte të vrarë dhe të plagosur”, pa treguar numrin e tyre.
Në rajonin veriperëndimor të Rusisë, Vologda, guvernatori Georgy Filimonov konfirmoi të enjten raportimet në media se një dron kishte goditur një fabrikë metalurgjike në qytetin Çerepovets.
Filimonov tha se nuk është raportuar për të vdekur nga ai sulm dhe se fabrika ka vazhduar punën “normalisht”.
Prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, shumë caqe ushtarake dhe fabrika industriale janë sulmuar nga dronët. Kievi rrallëherë i komenton këto sulme./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co