NGA PËLLUMB NAKO
Në këtë kohë të sezonit turistik veror të vendit, debatet janë të shumta rreth cilësisë apo sasisë së turistëve e pushuesve. Debatet kanë marrë formën e një beteje, ku në njërën anë të barrikadës janë rreshtuar nihilistët, që nuk kuptohet se përse nxijnë gjithçka dhe nga ana tjetër pozitivistët, që edhe ata nuk merret vesh se për cilën arsye ekzagjerojnë atë që konstatohet dhe që nuk është keq. Në konkluzion, gjithçka që ndodh në terren është e kënaqshme e në përputhje me shkallën e menaxhimit të turizmit që i bën shoqëria dhe shteti shqiptar sezonit. Individë të të dyja ekstremeve përgjojnë njeri-tjetrin dhe bëjnë karshillëk se kush e ka mirë e kush e ka gabim. Energji kjo e shkuar dëm, pa asnjë përfitim. Nuk është ndonjë tragjedi kombëtare, as dështim kolosal nëse prurjet nuk shënojnë majat e mundshme apo të pretenduara në raport me dimensionet e Shqipërisë. Frekuentimi i deritanishëm është i kënaqshëm. Rëndësi ka të rritet cilësia e shërbimeve, të promovohet pozitivja, të maturohet eksperienca, të lihen pas e të goditen negativitetet, kryesisht duke vendosur një ekuilibër më të drejtë ndërmjet hapësirave publike dhe atyre private dhe gjithçka merr rrugën normale.
Ndërkohë kur ende nuk ka mbërritur muaji gusht, kur pritet si zakonisht të vërshojnë bashkatdhetarët tanë nga Italia e gjetkë, kur të shumtë qytetarët u janë drejtuar plazheve, askush nuk konstaton se të paktë deri tani, sezoni masiv turistik nuk ka shënuar asnjë ngjarje madhore e cila do të prishte këtë atmosferë. Të paktëve u shkon mendja te qindra e qindra punonjës e punonjëse policie që janë aty, të shumtë, të privuar nga dëshira për të shijuar freskinë e valëve të detit, të ujit, lumenjve e liqeneve si dhe të kufizuar në të drejta personale për të garantuar këto pushime të të githëve. Njoftimi që këta punonjës policie nuk marrin lejet e zakonshme në periudhën më të përshtatshme për pushim, sigurisht është harruar, por janë ata që e mbajnë mbi kurriz. Ndaj dhe duhet evidentuar, ndaj dhe kërkohet mënyrë tjetër se si të paraqitet policia përballë qytetarit, sepse volumi masiv i punës së saj mbetet thuajse anonim. Për hir të vërtetës, pamjet e disa policëve që u japin ujë turistëve, më shumë janë naive se sa të vlefshme. Ka plot e plot gjëra të përditshmërisë policore që mund dhe duhet t’i paraqiten publikut. Nuk bëhet fjalë për propagandë, por për pasqyrim. Nuk do të ishte pa vlerë nëse në një ditë të zakonshme, kameramani dhe gazetari të jenë të pranishëm në stacionin policor kur mblidhet personeli, kur ndahen detyrat, merren instruksionet, kur shpërndahen nëpër terren, kur ndërhyjnë, kur komunikojnë. Ose kur në një sallë operative vjen një ankesë, të paraqitet gjithë procesi i ndërhyrjes policore. Dhënia e statistikave të numrit të thirrjeve në këto salla harrohet dhe nuk ka impakt.
Qytetari duhet “të jetojë” me aksionin policor, të jetë dëshmitar nëpërmjet një kamere. Një gjë e tillë do të ishte dëshmi direkte. Kjo sepse dihet që normaliteti nuk përbën lajm. Prishja e tij tërheq vëmendjen. Dhe mbi bazën e kësaj logjike gjykohet edhe policia. Kur gjithçka shkon mirë, nuk ka lajm, kur ndodh diçka, asaj i kërkohet aspra. Një qëndrim i tillë faktikisht është normal, por jo i mjaftueshëm. Institucioni i Policisë gjykohet vetëm kur ka ngjarje, rrënjët e të cilave kanë probleme e konflikte sociale, të cilat nuk kanë të bëjnë me mangësi të aktivitetit të saj. Dhe ndërkohë, në medie mungon tmerrësisht pasqyrimi i përditshmërisë policore, i asaj që kryhet çdo ditë prej anëtarëve të saj, që nuk përbën lajm, por që i shërben aq shumë qytetarëve. Në medien e huaj janë me ijëra e mijëra dokumentarët, të ndjekur me shumicë, në të cilët gazetarët shoqërojnë policinë në patrullimet e saj të përditshme, ditën dhe natën, në dimër dhe në verë. Pasqyrojnë me shumicë detaje sesi vepron ajo. Madje, në mjaft raste edhe kur kryejnë kontrolle në banesa e lokale, kur gjurmojnë e ndjekin vjedhës. (Në shumë raste të kësaj natyre pasqyrohen vjedhje në plazh apo në stacione të transportit publik të mbipopulluara). Dokumentarë të tillë e ndihmojnë shumë publikun të njohë dhe të jetë direkt dëshmitar (jo nëpërmjet studiove televizive) i vështirësive të punëve policore. Për fat të keq, në Shqipëri pamje të tilla ekzistojnë vetëm në filmime të fshehta që pasqyrojnë abuzimet policore.
Ato janë me vlerë, por të pamjaftueshme për të njohur nga brenda përditshmërinë e pasur policore. Siç u citua edhe pak më sipër, të zënë me betejën e plazheve bosh, gjysmë bosh, plot dhe plot e përplot, portalet dhe media janë në kërkim të ethshëm të lajmit. Ky i fundit ka vlerë vetëm nëse trondit apo nëse tërheq vëmendjen. Në krye të këtyre lloj lajmesh qëndrojnë ato të lidhura me misterin e ngjarjeve për të cilat gjykohet thuajse çdo ditë policia. Ngjarje këto të rënda, që tronditin. Në qindra e mijëra raste këto ngjarje analizohen dhe zbulohen nëpër studio, herë më shpejt dhe herë shumë më shpejt se vetë policia. Ajo gjykohet, përqeshet, anatomohet kur askush nuk ka qenë në vendngjarje. Janë emisione këto që tërheqin publik, por në shumicën e rasteve janë larg të vërtetës. Të komentuara e të stërkomentuara nëpër studio, lajme të kësaj natyre përfundojnë papritur, menjëherë pas disa ditëve si rrebeshi i shiut në verë. Ndërkohë policisë i duhet të vazhdojë hetimin, në heshtje sipas ligjit, nën presionin e komentatorëve, triumfatorë që shëtisin studio më studio. Konkluzionet me këtë rast janë vërtet cinike. Komentatori gjykon, nuk mban përgjegjësi për ato që thotë, pas tij është edhe publiku që gjykon, ndërkohë policia punon deri sa të dalë e vërteta. Kjo e fundit shpesh nuk përkon me atë që parashikojnë komentatorët dhe për publikun fatkeqësisht nuk ka më shumë rëndësi, sepse sensacioni ka zënë vend. Kjo atmosferë e ka vënë policinë në një lloj trysnie të përhershme sikur përjetësisht është e detyruar të përgënjeshtrojë mjeshtrat e studiove.
Në një kontekst të tillë ndërmjet medies dhe punës së policisë, para nesh shfaqet debati shumëshekullor i demokracisë mediatike: më mirë lajme e komente që ngjallin interes por me vërtetësi të dyshimtë, apo komente me karakter formues apo më saktë edukativ, që e orientojnë publikun drejt një kuptimi më institucional të asaj që ndodh, por që zakonisht nuk kanë ndjekshmëri të lartë. Dhe viktima më e preferuar e këtij antagonizmi mbetet gjithmonë policia. E gjitha kjo ka krijuar një atmosferë të tillë që të kujton një shembull nga jeta e Ajnshtajnit kur ai u ngriti me elegancë një kurth studentëve, të cilët ranë menjëherë në të, pa kuptuar domethënien e një gabimi elementar të gjeniut. Ajnshtajni paraqiti në dërrasën e zezë përfundimin e disa ushtrimeve shumëzimi mjaft të thjeshta jo vetëm për të, por edhe për studentët.
Këta të fundit e ndiqnin në heshtje. Në fund Ajnshtajni bëri një shumëzim fillestar me përfundimin shumë gabim. Menjëherë, duke qeshur, të gjithë studentët filluan të tallen e bëjnë humor me të se si e kishte bërë atë gabim. Pasi pushuan, Ajnshtjani u tha: “Unë bëra shumë ushtrime në mënyrë ekzakte dhe ju heshtët. Kur të fundit, që ishte vetëm një, unë e bëra gabim, ju bëtë zhurmë. Kështu ndodh edhe në jetë. Kur punoni mirë, askush nuk bën komente. Kur bëni gabim, të gjithë u sulen për gabimin tuaj”. Për fat të keq, kështu gjykohet edhe policia.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co