Sot, kur është bërë një vit (14 qershor) që kur xhandarmeria serbe kidnapoi brenda territorit të Republikës së Kosovës tre policë kufitarë të Kosovës, drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu ka thënë se ende askush nuk është mbajtur përgjegjës për këtë akt agresioni.
Musliu thotë se as shteti i Serbisë nuk u mbajt përgjegjës nga bashkësia ndërkombëtare! Ndërkohë, sipas Musliut, në komunat veriore agresioni i Serbisë u rrit secilën herë e më shumë – deri më 24 shtator, kur një agresion me terroristë vranë një polic të Kosovës. “As për këtë ende nuk ka asnjë aktakuzë nga drejtësia e as përgjegjësi nga Serbia”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ai thotë se një vit më vonë, “sot, më 14 qershor 2024, gjërat kanë ndryshuar dukshëm për të mirë, në kuptimin e sigurisë, në veri të vendit”. “P.sh. njëmijë qytetarë serbë të veriut të Republikës së Kosovës kanë aplikuar për t’i marrë patenë-shoferët e Kosovës”.
Më tej ai thotë se “aktivitete të lira kulturore e sportive mbahen atje! Edhe në Liqenin e Ujmanit, ku e kishte villën kryeterroristi Radojçiq (e cila u konfiskua)”.
“Nevojitet që serbët të relaksohen dhe politikat e integrimit të tyre duhet të avancohen. Kosova është shtet i tyre, ashtu siç është shtet edhe i yni! E Serbia duhet të rrijë matanë kufirit!!!”, ka shkruar Musliu.
Policia e Kosovës, atëherë (14 qershor 2023) e cilësoi rastin si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co