
Myrto Uzuni u rikthye te goli në La Liga, teksa realizoi nga pika e bardhë e penalltisë në fitoren 2-0 të Granadës ndaj Alaves. Sulmuesi kuqezi u tregua i saktë 11-metërshi, duke mos i lënë asnjë shans portierit Sivera për ta pritur. Gjigandi spanjoll “Marca” i ka kushtuar një artikull lojtarit kuqezi, ku përmend statistikat e Uzunit nga pika e bardhë e penalltisë. “Marca” i bën jehonë faktit se 28-vjeçari, është një “vrasës” i vërtetë para porte.
“Uzuni, një snajper nga 11 metrat”, është titulli i prestigjiozes, ndërsa më poshtë shkruhet: “Edhe pse ka luajtur me gjilpëra dhe me dhimbje prej javësh, atij nuk iu dridh pulsi. Uzuni e ekzekutoi goditjen me saktësi, duke e çuar topin pranë shtyllës, për të bërë shtrirjen e portierit kundërshtar të pavlerë. Me golin e realizuar, lojtari nga Berati ka që tani 4 gola të shënuar nga 11 metrat, duke iu bashkuar Majoral, Pepelu dhe Dovbyk si një nga specialistët e La Liga në këtë seksion”.
Vlen të theksojmë se Uzuni ka dështuar vetëm 2 herë nga penalltia, nga 13 herë që i është besuar ekzekutimi i 11-metërshit. Sulmuesi ka një saktësi për t’u admiruar në të tilla raste, 84%, çka tregon efektivitetin e tij. Myrto Uzuni ka gjasa të mira për të qënë pjesë e Europianit dhe synon një mbyllje sa më të mirë të sezonit, për të qenë gati për Kombëtaren.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co