Aktualisht Rusia është në avantazh luftarak në Ukrainë. A duhet Gjermania të llogarisë me një valë shumë më të madhe refugjatësh ukrainas? Ekspertët për migracionin e quajnë këtë një skenar të mundshëm.
Skenari tingëllon dramatik: “Në rast se Vladimir Putin ia del mbanë dhe Ukraina e humb luftën, atëherë kjo mund të kthejë në refugjatë edhe rreth 10 milionë vetë”, thotë në bisedë me Deutsche Wellen eksperti gjerman për migracionin, Gerald Knaus.
Aktualisht Rusia po njofton përditë për marrje territoresh. Të dyja palët po luftojnë aktualisht duke përdorur masivisht raketa dhe dronë. E qartë është që Rusia është në avantazh luftarak, është e armatosur më mirë dhe po e quan tani luftën si të tillë dhe jo më “operacion special ushtarak”. Në të njëjtën kohë mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën po lëkundet.”Nëse tani qytete të mëdha si Kharkovi dhe të tjerë shkatërrohen, nëse rritet numri i viktimave, dhe ulen shpresat, atëherë me gjasë do të përjetojmë lëvizjen më të madhe botërore të refugjatëve që nga viti 1945″, paralajmëron eksperti për migracionin, Gerald Knaus. Një skenar ky që relativizohet nga eksperti socialdemokrat për çështjet e brendshme, Helge Lindh (SPD). “Unë nuk pres shifra të tilla të jashtëzakonshme, si ato që thuhen. Por është e mundur një rritje tjetër e shifrave, në rast të dramatizimit të mëtejshëm të situatës së luftës. Por nuk kemi arsye, që të themi, se tani kërcënon një valë e jashtëzakonshme refugjatësh.”
Kur ushtria ruse sulmoi Ukrainën me shkelje të së drejtës ndërkombëtare para dy vjetësh, solidariteti në Gjermani ishte i madh. Ukrainaset dhe ukrainasit si refugjatë u ndihmuan shpesh edhe në mënyrë spontane nga njerëzit dhe politika. Refugjatët nga Ukraina nuk kalojnë nëpër një procedurë të komplikuar azili në Gjermani. Ata mund të fillojnë menjëherë të punojnë, kanë të drejtë për ndihmë sociale, kujdes mjekësor dhe kurse gjuhe. Sipas të dhënave të Shërbimit Mediatik “Integration” aktualisht nga 4,3 milionë refugjatë ukrainas gjithsej, në Gjermani qëndrojnë 1,15 milionë refugjatë. Shifra që po rriten në mënyrë të vazhdueshme.
Politikanë konservatorë të CDU dhe CSU e shohin me shqetësim këtë zhvillim. “Ne si europianë kemi një përgjegjësi të posaçme për refugjatët e luftës që vijnë nga vendet tona fqinje. Por natyrisht në një moment të caktuar edhe kapacitetet tona arrijnë në kufijtë e tyre”, ka thënë politikani i CDU-së, Thorsten Frei për DW.
Pak pas fillimit të luftës shumica e ukrainasve erdhën në vendet europiano-qendore, kryesisht në Poloni. Sot aty ndodhen më pak se 1 milionë ukrainas. Ndërkohë është Gjermania që në shifra absolute ka numrin më të lartë të refugjatëve të luftës. Por nëse i shikon shifrat e refugjatëve në lidhje me numrin e popullsisë del një rezultat tjetër: Bullgaria është vendi që mban barrën më të madhe në përqindje, 3,4% të refugjatëve. Çekia 2,6%. Gjermania në këtë kontekst ka vetëm 1,4% të refugjatëve krahasuar me numrin e popullsisë. Edhe Polonia matur me numrin e popullsisë me 38 milionë banorë mban një barrë të madhe të refugjatëve, 2,6%. Këto janë llogaritje që i ka bërë eksperti për migracionin, Gerald Knaus.
Apel për solidaritet europian
Politikani i CDU-së për çështjet e brendshme, Thorsten Frei kritikon në këtë pikë, se në lidhje me shifrat konkrete absolute është Gjermania ajo që mban barrën më të madhe. “Gjermania duhet të përballet me fluksin kryesor”, thotë Frei. Qeveria gjermane duhet të angazhohet urgjentisht për shpërndarjen më të drejtë të refugjatëve. “Vetëm landi federal Baden-Vyrtemberk ka pranuar më shumë refugjatë ukrainas të luftës se e gjithë Franca.” Ky land ka 11 milionë banorë.
Politikani Helge Lindh nga SPD tregon mirëkuptim për këtë. “Nëse refugjatët ndodhen para zgjedhjes në cilin vend do të shkoj, në Francë, Belgjikë apo Itali? Nëse kushtet sociale në Gjermani me mundësinë e fillimit drejtpërdrejt të punës janë më të mira, atëherë është e qartë dhe e kuptueshme, që ata më shumë do të donin të vinin në Gjermani.”
A është Gjermania e përgatitur për më shumë refugjatë nga Ukraina?
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës kërkon gjithnjë e më shumë viktima, shumë vetë largohen nga vendi. Putini edhe mund ta fitojë luftën, ose të aneksojë një pjesë të territorit të Ukrainës dhe të përhapë terror. “Për skenarin më të keq të mundshëm, BE nuk është e përgatitur” kritikon eksperti Knaus. Politikanë të qeverive dhe opozitës janë çorientuar, edhe sepse gjithnjë e më shumë njerëz nga vende të tjera kërkojnë në Gjermani azil. Politikani i CDU-së, Thorsten Frei llogarit me 300.000 kërkesa të tjera për azil këtë vit. “Kjo prek drejtpërdrejt edhe refugjatët ukrainas të luftës, për të cilët mungojnë pastaj kapacitetet e strehimit dhe integrimit.”
Helge Lindh, politikani i SPD-së, me syze, xhaketë bojëqielli dhe këmishë të bardhë
Edhe politikani i SPD-së, Helge Lindh është i shqetësuar. “Komunat thonë që tani, se jemi në kufijtë e kapaciteteve. Kjo do të thotë, që nëse shifrat e të ardhurve nga Ukraina rriten edhe njëherë ndjeshëm, atëherë ne do të kemi në Gjermani menjëherë një debat migracioni.”
Në një pikë janë të një mendimi si politikanët Frei dhe Lindh dhe eksperti për migracionin, Knaus. “Rruga më e mirë do të ishte të mbështetej masiviht Ukraina me armë që të mos edhe më shumë njerëz largohen nga vendi./DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co