Mik i Putinit dhe i popullit kinez, Gerhard Schröder, ish-kancelari “non grata”

mik i putinit dhe i popullit kinez gerhard schroder ish kancelari non grata
mik i putinit dhe i popullit kinez gerhard schroder ish kancelari non grata

Gerhard Schröder, ish-kancelari i Gjermanisë feston ditëlindjen e tij të 80-të. Por ai është i diskutueshëm për shkak të miqësisë së tij me Putinin.

Një nga dy ish-kancelarët e gjallë gjermanë mbushi 80 vjet më 4 prill 2024. Normalisht do të ishte kjo një mundësi e mirë për të uruar publikisht një person kaq të rëndësishëm, për të nderuar meritat e tij – por fjala është për Gerhard Schröderin e diskutueshëm.

Asnjë ish-kancelar nuk është kritikuar më shumë se ai. Mund të thuash se ai u bë persona non grata. Në festën e ditës së ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor të vitit të kaluar, në mesin e të ftuarve ishte edhe Schröder, por ai ishte vendosur diku prapa, që të mos e kapnin kamerat në transmetimin e drejtpërdrejtë. Ka një diskutim në tabloide – nëse është e nevojshme t’i jepet dora atij.

Socialdemokratët gjermanë, anëtar i së cilës ai është prej 60 vitesh, donin ta përjashtonin nga partia. Përpjekja dështoi, por ai u fshi nga lista e figurave të rëndësishme të SPD-së. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i tij, tha publikisht se nuk do ta uronte për ditëlindjen. Kancelari Olaf Soltz e uroi – por në mënyrë diskrete, me shkrim.

Pse gjithë kjo? Para së gjithash, sepse edhe pas sulmit rus në Ukrainë, Schröder nuk i dha fund miqësisë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, as lidhjet e tij të biznesit me Gazpromin rus. Dhe kështu prish reputacionin e Gjermanisë.

Vital dhe i lumtur – privatisht

As mosha e tij e madhe nuk e shtyn askënd të tregojë pak konsideratë ndaj tij. Ndoshta arsyeja për këtë është se Schröder nuk duket të jetë fare 80 vjeç. Kjo mund të shihet në filmin dokumentar të shkëlqyer të realizuar nga autori i ri i vlerësuar me çmime Lukas Stratmann për transmetuesin publik gjerman NDR. Filmi fillon me Schröderin që mbërrin në fushën e golfit me makinë, shkarkon vetë pajisjet dhe më pas kalon nëpër fushë. Përballë tij, me një fund të shkurtër të kuq, gruaja e tij 26 vjet më e re (e pesta) Kim. Ajo nuk ndahet për asnjë moment prej tij. Ata janë të martuar prej gjashtë vitesh dhe duket se janë një çift i lumtur.

Duke komentuar këtë film të ri, i cili bazohet më së shumti në shkrimet e mediave me rastin e ditëlindjes së Schröderit, ai shprehet qartë, flet shpejt. Disa thonë se vitaliteti i Schröderit është thjesht i lakmueshëm. Por ky është fundi i çdo gjëje pozitive për ish-kancelarin në këtë pikë. “Për Gerhard Schröderin është folur shumë kohët e fundit, por me të flasim rrallë”, thotë autori i filmit, i cili e “ndoqi” për më shumë se gjysmë viti, nga Hanoveri në Kinë. Ai thekson se Schröderi e lejoi atë ta pyeste çfarë donte.

Për luftën në Ukrainë

“Tani jeni ish-kancelar. Kështu e keni imagjinuar?

“Epo, më pak me këto diskutime që kanë të bëjnë vetëm me këtë luftë që po bëhet dhe që unë e kam dënuar publikisht. Por askujt nuk i intereson kjo”.

Sigurisht, ne po flasim për luftën në Ukrainë. Më vonë në film, Schröder tregon se si u përpoq të përdorte miqësinë e tij me Putinin për të ndërmjetësuar, më 9 mars 2022, menjëherë pas fillimit të luftës. Kërkesa për këtë erdhi nga Ukraina, e avioni u dërgua nga Putini. Fillimisht, në Stamboll, ai u takua me Rustam Umerev, ministrin aktual ukrainas të Mbrojtjes, e më pas në Moskë, ai zhvilloi një bisedë private me Putinin. Kur u pyet nëse ishte e koordinuar me Berlinin, Schröder thotë se nuk ishte: “Kjo do të ishte gabim, sepse e di shumë mirë që jo gjithçka është në rregull dhe nuk doja të rrezikoja misionin”.

Kur u pyet, nëse ai u përpoq të bindte Putinin që t’i jepte fund luftës, Schröder thotë: “Po, sigurisht. Ia bëra të qartë se kjo është e gabuar, se e konsideroj gabim historik”.

I pyetur nëse e pyeti Putinin pse filloi lufta, ai shpërtheu duke qeshur: “Ndalo! Kjo nuk është një përrallë. Kështu nuk zhvillohen negociatat në atë nivel. Nuk ka të bëjë me moralin, ka të bëjë me përfundimin e konfliktit”.

Më pas, në bisedë ai shpjegon mundësitë e tij të kufizuara, pavarësisht afërsisë me Putinin dhe thotë: “Në Evropë, ata që mund të sillnin zgjidhje, jo me mjete ushtarake, të cilat nuk do të ishin për asnjërën palë, ishin Macron dhe Scholz. Por pse nuk deshën, nuk mundën, nuk guxuan…”

Putini dhe demokracia në Rusi

I përballur me deklaratën e tij, se është “i bindur se Putini do të krijojë një demokraci të vërtetë”, Schröder pranon se kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, ai shton se “ka gjëra që janë zhvilluar mirë”. “Ka një formim demokratik të vullnetit të lirë, zgjedhje të lira, që nuk mund të mohohet” – thotë Schröder. Për vërejtjen se nuk ka opozitë të lirë, Schröder përgjigjet: “Por nuk ka ndalim të drejtpërdrejtë”. Të thuash thjesht se nuk ka asgjë nga demokracia është e gabuar, ashtu si të presësh që demokracia në Rusi të jetë Westminster”.

Ndërsa kur gazetari deklaroi se situata nëRusi nuk është përmirësuar në 20 vjet, Schröder u shpejtua përsëri dhe ngriti zërin: “Nuk është më mirë. Por a do të jetë më mirë nëse marrëdhëniet ndërpriten plotësisht? Izolim? (…) Unë jam gjithmonë gati për një bisedë.”

“Një mik i vjetër i popullit kinez”

Ai ishte në udhëtim tre ditor në Kinë, si i ftuar dhe ku ish-kancelari, siç tha me krenari, quhet “mik i vjetër i popullit kinez”. Ai mirëpritet si burrë shteti, sikur është ende në detyrë, sikur është në një mision diplomatik.

Është një rast që gazetari të përmendë ministren e Jashtme gjermane, e cila e quajti kreun e shtetit dhe partisë së Kinës diktator për mediat amerikane. Schröder thotë se nuk donte të përfshihej në debatet për këtë deklaratë të Annalene Baerbock.

Çfarë ka mbetur nga trashëgimia politike e Schröderit?

Schröder kritikon, por ai vetë pranon goditjet. Kështu ishte gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë. Suksesi i tij është i padiskutueshëm – kur refuzoi pjesëmarrjen e Gjermanisë në luftën në Irak. Disa i vlertësojnë reformat e tij sociale, të cilat zgjidhën papunësinë e lartë të vendit dhe lehtësuan buxhetin. Por shumë, veçanërisht në mesin e socialdemokratëve të tij, nuk mund ta falin për këtë. Në Gjermani, ai hapi një hapësirë ​​të madhe për sektorin me paga të ulëta. Ai fajësohet se thelloi hendekun në shpërndarjen e mirëqenies, i cili po bëhet gjithnjë e më i madh. Schröder, natyrisht, e mohon këtë.

Megjithatë, nuk ka dyshim se reputacioni i Gerhard Schröderit në Gjermani në këtë moment është dëmtuar shumë. Trashëgimia e tij politike si kancelar, si socialdemokrat, është shkatërruar. Koha do të tregojë nëse do të mbetet kështu…

Dhe së fundi, por jo nga rëndësia: As gjatë filmit një orësh por as në reagimet e shumta nuk përmendet roli i Gerhard Schröderit në bombardimet e NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë. Gjatë këtyre bombardimeve Gjermania u përfshi për herë të parë në një luftë jashtë vendit, që nga Lufta e Dytë Botërore./ DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →