Presidenti i Pl-së, Ilir Meta, në forumin rajonal me temë “Ballkani dhe sfidat gjeopolotike të së sotmes dhe të së ardhmes” ka shprehur kritika lidhur me qëndrimet e mbajtura nga disa prej aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që bashkëpunojnë pa kushte me autokratët që vjedhin zgjedhjet, në emër të stabilitetit.
Meta tha se një qëndrim i tillë nuk i shërben popujve as demokracisë, duke shtuar se në rastet kur këta partnerë bashkëpunojnë me narkoshtete, kjo mund të kthehet në një rrezik, qoftë edhe në aspektin e terrorizmit.
“Nuk është për t’u habitur se si mbyllja e syve ndaj kapjes së shtetit dhe të drejtësisë nga autokratët në këmbim të gjoja “stabilitetit”, prodhon efekte të kundërta.
Autokratët risollën në tryezën politike europiane përmes lobimeve të dyshimta propozimin për ndryshimin e kufijve, zhvendosën vëmendjen nga procesi i anëtarësimit në BE tek krijimi i “Ballkanit të Hapur”, ku influencat europiane dhe jo-europiane përzihen dhe përplasen me kosto të lartë për vetë rajonin, për Europën dhe për NATO-n.
Pasojat e kësaj politike sollën dështimin e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi, tentativën për grusht shteti në Mal të Zi, kërcënimet për shpërbërje të Bosnje-Hercegovinës, deri në përplasjen e parë fizike me trupat e KFOR dhe sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës.
Nuk janë të paktë politikanët, analistët dhe gazetarët në SHBA dhe BE që patën paralajmëruar se në rajon po ndiqej një qasje e gabuar si nga BE ashtu edhe nga SHBA”, tha Meta.
Me pjesëmarrjen e Stipe Mesiç, Milo Gjukanoviç, Profesor Ahmet Davutoglu, ish-Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, Meta tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës u çeli sytë shumë politikanëve perëndimorë që deri atëherë ecnin somnambul, me iluzionin se rreziku i luftrave në Europë ishte përjashtuar përgjithmonë.
“Ata që parashikuan se ambicja e Putinit do të ndalonte në Krime dhe iu kthyen “punëve të zakonshme”, u desh të njihnin realitetin politik dhe të rishikonin politikat europiane dhe euro-atlantike në përputhje me këtë realitet.
Kjo do të thotë së pari dhe mbi të gjitha ripërkufizim të rreziqeve.
NATO vendosi në strategjinë e saj të sigurisë Rusinë, si kërcënimin kryesor për paqen. Rajoni ynë u përfshi në hartën e vatrave të rrezikut, duke parashikuar se vendet dhe aktorët proxi të Rusisë do të nxisnin destabilitet, duke insistuar në të njëjtën fabul të vjetër që synon ndryshimin e kufijve mes vendeve të Ballkanit”, tha ai.
Në vijim, Meta u shpreh se në nivel global, vërehet se demokracitë tkurren ndërsa rritet numri i vendeve autokratike.
“Ka një ndërlidhje të qartë mes regjimeve hibride dhe kërcënimit që ato përbëjnë në mjedisin e sigurisë. Për shembull, mjafton të shohësh raportet e OSBE/ODIHR për të identifikuar qartë se Shqipëria dhe Serbia kanë probleme madhore me zgjedhjet dhe me kufizimin ekstrem të hapësirave për opozitën dhe lirinë e shprehjes. Në Shqipëri sot vazhdon të vuajë burgun politik për herë të parë një eurodeputet i sapozgjedhur, Fredi Beleri.
Vetëm pse ishte kandidat i opozitës në zgjedhjet e fundit në Bashkinë e Himarës, ai u rrëmbye nga policia dy netë para zgjedhjeve dhe përsëri fitoi. U bë një vit që i është pamundësuar betimi në respekt të zgjedhësve që është një procedurë shumë e rëndomtë burokratike. Kjo ndodh sepse ai kishte denoncuar zaptimin e pronave të komunitetit nga klientë pranë Kryeministrit për të ndërtuar resorte me qëllim pastrimin e parave.
Ndërkohë Elmar Brok një politikan shumë i njohur nga të gjithë ju dhe në BE vendosi që për ditëlindjen e tij të vizitonte shtëpinë e liderit historik të Partisë Demokratike, Profesor Sali Berishës, i cili në mënyrë antikushtetuese mbahet i izoluar politikisht për t’i pamundësuar përmbushjen e detyrimeve të tij si deputet dhe si lider”, tha Meta.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co