Mbledhja e fundit e këshillit bashkiak për këtë sezon është shoqëruar me debate të ashpra, por edhe me konflikt fizik mes dy këshilltarëve, Halit Valteri i PS dhe Tedi Blushi i PL-së.
Të dy pretendojnë për dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit, por ka qenë këshilltari socialist, Halit Valteri i cili ka depozituar një kallëzim në polici, ku pretendon se është goditur me grusht dhe objekte nga Tedi Blushi.
Ky i fundit është marrë në pyetje, për të dhënë sqarime ne lidhje me incidentin që shoqëroi mbledhjen e këshillit bashkiak.
Si nisi konflikti?
Pas miratimit të rendit të ditës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, fjalën e mori kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por u ndërpre nga këshilltari i opozitës, Tedi Blushi, i cili qëlloi edhe me letra Erion Veliajn, më pas nisi edhe konflikti fizik me Halit Valterin.
Mbledhja u ndërpre, ndërsa kryetarja e këshillit bashkiak Romina Kuko njoftoi kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë bashkiake.
DEBATI
Blushi: Po ju kërkoj me mirësjellje të respektoni procedurën
Kuko: Ju lutem zoti Blushi lejoni të mbarojë kryetari pastaj…jemi në momentin kur po parashtron kryetari…Blushi po ndërprisni seancën, po ju tërheq vëmendjen. Mos ndërprisni mbledhjen
Zoti Blushi mos ndërprisni seancën.
Veliaj: Kjo është mungesë edukate, më ngatërron me atë të bllokut.
(Blushi qëllon me letra)
Veliaj: Jeni komplet i paaftë
Kuko: Blushi jeni i ftuar të lini sallën, mbledhja ndërpritet. Policia bashkiake ju lutem
Reagimi i Veliajt
“Sjellje prej vandali” e ka quajtur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj atë që ndodhi me Tedi Blushin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Pas incidentit dhe konfliktit fizik mes Halit Valterit dhe Tedi Blushit, Veliaj me anë të një postimi në rrjetet sociale thotë se sjellja e tij është një shenjë dëshpërimi.
Veliaj thotë se do të kërkojë zbatimin e ligjit me përpikëri që siç thotë ai, “rrugaçëria te marrë përgjigjen qe meriton”.
“Sot Keshilli Bashkiak kish për te votuar hapjen e 2 çerdheve te reja, abonetë falas për studentet, miratimin e shkollës Ecole 42 për te rinjtë, zonën e lire ekonomike TEDA per 5mije vende pune te reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri.
Por Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit qe i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranes dhe as humbjen kolosale te partickes se tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegeve këshilltare, është shenje dëshpërimi, jo force.
Do te kërkoj zbatimin e ligjit me përpikëri qe rrugaçëria te marre përgjigjen qe meriton, dhe Tirana te mos mbetet peng i maktheve te Ilir Metes e mjeraneve te tij”, shkruan Veliaj.
Reagimi i Ilir Metës
Sipas Ilir Metës, ka qenë Erion Veliaj dhe Halit Valteri që kanë sulmuar këshilltarin e PL-së në këshillin bashkiak, Tedi Blushi.
Ilir Meta me anë të një postimi në Facebook thotë se nga sot “Partia e Lirisë është në gjendje lufte me Erion Veliajn”.
“Akti sulmues i Prindit 2 Erion Veliaj dhe zarit të tij Halit Valteri ndaj këshilltarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, z.Tedi Blushi do të marrë shumë shpejt përgjigjen e merituar demokratike dhe shqiptare.
Nga sot Partia e Lirisë është në gjendje lufte me kryehajdutin e Tiranës Lali fikun dhe ordinerët përqark tij.
Partia e Lirisë është në gjendje lufte me tutorët dhe protektorët e këtij fëlliqësire që vrau Ardit Gjoklajn. Partia e Lirisë do t’ju mësojë të gjithëve se nuk jemi komb eksperimental por Shqiponjash. Nuk ka tutor dhe protektor në botë që e ndalon Drejtësinë tonë”, shkruan Meta.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co