Mallkimi i dëmtimit të ligamenteve godet sërish Juventusin. Pas Gleison Bremerit edhe Huan Kabal ka pësuar të njëjtin dëmtim në gju duke mbyllur para kohe sezonin, të paktën sipas mjekëve të Kombëtares së Kolumbisë.
Tiago Mota edhe pse ndodhet prej kohësh në emergjencë, tashmë duhet të përballojë dhe një tjetër dhimbje koke. Kabal nuk ishte vetëm një lojtar krahu për Juven, pasi Mota e shihte atë si një opsion shtesë edhe për qendrën, një opsion që tashmë nuk do të jetë më për pjesën e mbetur të sezonit. Për këtë arsye, Tiago Mota i ka sytë nga Xhuntoli, e ky i fundit nga merkato që i thërret çdo ditë e më shumë emrat e mbrojtësave që mund të afrojë. Tashmë duhen dy mbrojtës, një në vend të Bremerit dhe një për të zëvendësuar Kabalin. Por kush do të jenë këta zëvendësues?
OPSIONET- Kontaktet, sondazhet dhe ngacmimet e para kanë filluar. Milan Shkriniar është emri kryesorë i merkatos së Juventusit për janarin. Mbrojtësi sllovak është i pakënaqur në Paris dhe kërkon të largohet sa më parë nga kryeqyteti francez. Xhuntoli e sheh atë si afrimin perfekt, pasi mund të transferohet në Torino në formë huazimi deri sa të kthehet Gleison Bremer. Skriniar do të jepte garanci për shkak të eksperiencës së tij tek Interi ku ka arritur të shkëlqejë.
Opsioni tjetër është Ardian Ismajli. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë ndodhet në radarët e Xhuntolit prej kohësh dhe gjithashtu ofron garanci, sidomos pas startit fantastik të sezonit që ka bërë me Empolin. Por këta dy lojtarë nuk janë emrat e vetëm. Së fundmi ka fituar shumë terren edhe Lindelof e David Hanko. Ky i fundit shok në kombëtare me Shkriniarin, po shkëlqen me Fejnordin, por kushton shumë, prandaj duket si operacioni më i vështirë për t’u kryer. Holandezët e vlerësojnë rreth 30 milionë euro, një shifër që “Zonja e Vjetër” kërkon ta shmangë gjatë merkatos së janarit. Megjithatë, avantazhi i Hankos është fakti se mund të luajë në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, diçka që Mota kishte projektuar edhe për Kabalin.
MBROJTJA- E vetmja gjë e sigurt që Tiago Mota ka për momentin është se deri në janar duhet të shfrytëzojë në maksimum dyshen e vetme të besuar, Gati dhe Kalulu. Gjithashtu ai ka të rinjtë Ruhi dhe Gil Pushe, ndërsa Savona, Kambiaso, Danilo dhe Mek’Keni janë futbollistët që mund të alternojë në disa pozicione. Mesfushori amerikan ka luajtur si mbrojtës krahu në fundin e sfidës ndaj Lajpcigut. Por duke parë se as Bremer e as Kabal nuk do të kenë mundësi të rikthehen, diçka është e sigurt. Mbrojtja e Juventusit do të ribëhet nga fillimi, të paktën për këtë sezon dhe Kristiano Xhuntoli ka nisur detyrën që tani për t’i zbatuar që në ditët e para të merkatos së janarit.
PANORAMASPORT.AL