Ardian Ismajli është kthyer në një prej liderëve të Kombëtares shqiptare të futbollit dhe nuk është rastësi që trajneri Silvinjo i ka besuar atij edhe shiritin e kapitenit së fundmi. Ismajli ka bërë paraqitje të shkëlqyera me Shqipërinë dhe kjo është një mundësi më shumë për të për të rënë në sy në një moment të veçantë të karrierës së tij.
Prej muajsh, në Itali përflitet për një largim të mundshëm të mbrojtësit të Empolit drejt Juventusit, e interesuar për të blerë një qendërmbrojtës. Një variant që e përditshmja sportive torineze “Tuttosport” ka publikuar sot si pistën më të mundshme që ndjek drejtori sportiv Xhuntoli për merkaton e janarit te bardhezinjtë. .
Ismajli ka shkëlqyer me Empolin në pjesën e parë të sezonit, por janë pikërisht paraqitjet me Shqipërinë që i kanë dhënë atij edhe një “imazh ndërkombëtar”, që padyshim e bën më tërheqës profilin e tij për klubet e mëdha në Itali. Ndaj duelet ndaj Çekisë dhe Ukrainës, do të jenë një tjetër provë e qendërmbrojtësit shqiptar para syve të vëzhguesve të klubit bardhezi, që po monitorojnë me kujdes situatën e tij.
PANORAMASPORT.AL