Dënimi me katër vjet burg i dhënë nga Rusia të enjten për Igor Girkinin, ish oficer i Shërbimit Federal të Sigurisë dhe bloger ushtarak, është pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj kritikëve të Kremlinit dhe agresionit në Ukrainë, sipas raportit të përditshëm të zbulimit të Ministrisë së Mbrojtjes britanike, mbi agresionin rus në Ukrainë.
Kj fushatë pasqyron gjithashtu “natyrën më autoritare të jetës” në Rusinë e Presidentit Vladimir Putin, tha të premten ministria britanike.
Raporti thotë se zoti Girkin kishte luftuar si pjesë e forcave separatiste pro ruse në Donetsk në vitin 2014, shërbeu si ministër i mbrojtjes në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut për një periudhë të shkurtër dhe kishte shkruar në internet në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë.
Në vitin 2022, ai u bë shumë kritik ndaj udhëheqjes ruse dhe asaj që ai e shihte si dështim për të kryer në mënyrë efikase “operacionin e posaçëm ushtarak” në Ukrainë.
Ai u arrestua në vitin 2023 pas rebelimit të shkurtër të Yevgeny Prigozhinit, bashkëthemelues i grupit mercenar ‘Wagner’. Në nëntor, zoti Girkin tha se do të kandidonte në zgjedhjet presidenciale ruse të vitit 2024.
Pas rebelimit të zotit Prigozhin, thuhet në raportin britanik, ka shumë të ngjarë që Kremlini është bërë më i ndjeshëm ndaj kritikave për Ukrainën “nga nacionalistët e vijës së ashpër” sepse ata janë një nga “alternativat e besueshme” ndaj udhëheqjes së Presidentit Putin.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit
Të enjten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua me kërkesë të Rusisë për një mbledhje urgjente, pas rrëzimit të mërkurën të një avioni transporti ushtarak rus pranë kufirit Rusi-Ukrainë. Të dyja palët po bëjnë thirrje për një hetim.
Shefja politike e OKB-së, Rosemary DiCarlo tha se organizata nuk është në gjendje të verifikojë rrethanat e rrëzimit.
“Ajo që është e qartë është se incidenti ndodhi në kontekstin e pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës që po vazhdon”, tha ajo. “Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, ne u bëjmë thirrje të gjithë të interesuarve që të përmbahen nga veprimet, retorikat apo pretendimet që mund të nxisin më tej konfliktin tanimë të rrezikshëm”.
Moska ka akuzuar Kievin për rrëzimin e aeroplanit të mërkurën në rajonin e Belgorodit. Rusia tha se avioni kishte 74 persona në bord, përfshirë 65 të burgosur lufte ukrainas, të cilët do të ishin pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.
“Të burgosurit ukrainas të luftës u transportuan në rajonin e Belgorodit për të kryer një tjetër shkëmbim që u ra dakord mes Moskës dhe Kievit”, tha ministri i Jashtëm Sergej Lavrov të mërkurën në Nju Jork, ku ai po merrte pjesë në takimin e OKB-së.
“Në vend të kësaj, pala ukrainase lëshoi një raketë të mbrojtjes ajrore nga rajoni i Kharkivit. Raketa vuri në objektiv aeroplanin dhe ishte një sulm fatal”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se qeveria e tij këmbëngul për një hetim ndërkombëtar për të vërtetuar faktet.
Në Këshillin e Sigurimit, një e dërguar ukrainase përsëriti thirrjen e qeverisë së saj për një hetim ndërkombëtar, duke thënë se ata nuk kanë qasje në zonën brenda territorit rus ku u rrëzua avioni.
“Pas rrëzimit të avionit, Shërbimi Federal i Sigurisë dhe ushtria ruse nuk lejuan punonjësit e urgjencës të inspektojnë vendin e rrëzimit sipas protokollit”, tha zëvendësambasadorja e OKB-së, Khrystyna Hayovyshyn. “Sipas zbulimit tonë ushtarak, vetëm pesë trupa u dërguan në morgun lokal në Belgorod dhe asnjë kufomë nuk është e dukshme në videot nga vendi i rrëzimit”.
I dërguari i Rusisë, Dmitry Polyanskiy, e kundërshtoi këtë pretendim, duke e quajtur atë “marrëzi paranojake”.
Disa anëtarë të këshillit paralajmëruan kundër spekulimeve dhe akuzave pa fakte ende të vërtetuara.
Videoja e rrëzimit të aeroplanit të së mërkurës e publikuar në rrjetet sociale tregoi një aeroplan duke rënë nga qielli përpara se të shpërthejë në një top zjarri masiv, ndërsa goditi tokën në rajonin perëndimor të Belgorodit, pjesë periferike e Rusisë.
Kharkivi kufizohet me Belgorodin, që është territor rus. Dy palët kanë bërë shkëmbime të shumta të burgosurish që kur Rusia e nisi agresionin në Ukrainë, gati dy vjet më parë.
Shqetësimet bërthamore
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore informoi paraprakisht këshillin të enjten mbi situatën në uzinën bërthamore të Zaporizhzhias në Ukrainë.
Zoti Rafael Grossi u tha gazetarëve pas takimit privat se do të kthehej në Ukrainë në 10 ditët e ardhshme dhe më pas do të udhëtonte për në Moskë.
Centrali bërthamor, i cili ndodhet në territorin që kontrollohet nga forcat ruse, kohët e fundit humbi energjinë e jashtme për të tetën herë. Vendndodhja ku gjendet centrali bërthamor gjithashtu ka qenë shpesh në epiqendër të luftimeve, duke rritur frikën e një aksidenti bërthamor.
I pyetur nga një gazetar se sa e rrezikshme është situata në Zaporizhzhia në një shkallë nga 1 deri në 10, ku 10 është më e rrezikshmja, zoti Grossi tha se situata ndryshon nga momenti në moment.
“Mendoj se ka ditë ku shkalla e rrezikshmërisë arrin gati në 10, dhe ka ditë që asgjë nuk duket se ndodh”, tha zoti Grossi. “Problemi është ky: pasiguria e plotë, sepse kjo është një luftë”./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co