Që Interi ka një nga organikat më të mira të këtij sezoni dhe Simone Inzagi po menaxhon një grup kampionësh nuk ka shumë dilema, por çdo javë që kalon sjell konfirmime.
Edhe këtë herë, sinjalet pozitive kanë ardhur nga kombëtaret respektive ku interistët kanë qenë vendimtarë. Pa harruar golin e Dumfrisit apo dopietën e Arnautoviç dhe paraqitjet e shkëlqyera me asiste nga Dimarko dhe Bastoni, duhet të ndalemi vetëm te reparti i mesfushës. Ata kanë qenë vendimtarë me kombëtaret e tyre, duke nisur me Kristjan Asllanin, protagonist absolut me fanellën kuqezi. Mesfushori i Kombëtares shënoi një gol shumë të rëndësishëm në Tbilisi kundër Gjeorgjisë për t’i dhënë 3 pikë skuadrës së Silvinjos. Një gol me dedikim për të vëllanë. Por nuk është vetëm ky lajmi, që në fakt është më i bukuri për shqiptarët.
Të 4 mesfushorët e Interit që u larguan nga “Apiano” për të luajtur me kombëtaret e tyre gjetën rrugën e rrjetës. Edhe Hakan Çalhanoglu arriti që të shënonte në transfertë kundër Islandës me penallti, pasi më parë një tjetër 11-metërsh iu anulua për prekje të dyfishtë të topit. Fratezi gjithashtu ishte një nga golashënuesit e Italisë në triumfin me poker kundër Izraelit dhe vazhdon të jetë njeriu gol për Luçiano Spaletin.
E çuditshme edhe situata e tij, pak a shumë si ajo e Asllanit që me kombëtaren shkëlqen dhe me Interin ka pak mundësi. Edhe Piotr Zielinski gjithashtu gjeti rrugën e rrjetës me fanellën e Polonisë. Me zikaltrit pret që të konfirmohet pasi ende nuk ka marrë minutat që mund të kishte menduar kur u transferua. Nga Interi u larguan 4 mesfushorët për kombëtaret, ndërsa 2 qëndruan aty për të punuar. Mkitarian e ka lënë kombëtaren Armene dhe Barela që ishte i dëmtuar.
PANORAMASPORT.AL