Deputetja demokrate Albana Vokshi, është shprehur se protesta e një dite më parë e opozitës, ishte revoltë qytetare.
E ftuar në emisonin ‘Open’ në News24, ajo u shpreh se molotovi është më e pakta ndaj atyre që kanë shkelur Kushtetutën.
“Ministri i Brendshëm tha se është ushtruar dhunë ndaj institucioneve dhe Partisë Socialiste. Pra kemi një parti-shtet.
Ai qytetari që u plagos, z. Emiri u dëmtua nga molotovi që hodhi policia në drejtim të qytetarëve. Ne pa u afruar te Parlamenti u hodh gaz, pa pasur asnjë shkak.
Ne u sulmuam me gaz, ndërsa po afroheshim te Parlamenti. Policia ka hedhur gaz në mënyrë jo proporcionale. Nuk pati asnjë akt dhune, molotovët u hodhën në dyert e blinduara të Kryeministrisë, çfarë ndodhi? Pati dëme? Asnjë dëm.
Molotovi ishte më e pakta që mund të ndodhte ndaj atyre që ka grisur dhe shkelur Kushtetutën. Policia mbrojti një foto të Edi Ramës që po digjej, ndërkohë që nuk mbronte qytetarët”, tha Vokshi.
Ajo ka komentuar deklaratat e zëdhënësit të Grupit të CDU/CSU, Gunther Krichbaum.
Vokshi tha se kjo deklaratë më shumë i ngjan si personale se sa në emrin e grupit që përfaqëson.
“Mendoj se ai është keqinformuar, më duket një deklaratë shumë personale që kërcet. E mbani mend deklaratën e tij kur ishte debati se kujt i përkiste vula e PD-së, kur tha në Tiranë, se Gjykata e Lartë ka vendosur se ku do të shkojë vula? Mendoj se është i keqinformuar”, tha Vokshi.