SPAK sekuestroi 7 prona të të ashtuquajturve drejtorët e kompanisë “5D Konstruksion”. Pronat janë në emër të ish-drejtorëve të bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, Redi Mollë si dhe familjarëve të tyre. Është sekuestrua shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, si dhe pronat që dyshohet se janë krijuar nga përfitimet e tenderave abuzivë të kësaj kompanie.
Ndërkohë, një nga pronat që është vënë në sekuestro me kërkesë të SPAK dhe urdhër të GJKKO, është edhe një hotel luksoz në Durrës, 24% e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, regjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë.
“Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
Sekuestro është vënë edhe ndaj pasurisë së paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Ollga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar edhe 2 apartamente në pronësi të Sanije Qatos, familjare e Mariglen Qatos.
Në njoftimin e SPAK thuhet se pasuritë e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Pronat e sekuestruara nga SPAK
- Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve S.M dhe O.M, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
- Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
- Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator R.M, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases S.Q. dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases S.Q dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.’- njofton SPAK.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co