Ministria e Jashtme e Irakut ka thirrur të dërguarin e SHBA-së në Bagdad për të dorëzuar një memorandum zyrtar proteste mbi sulmet hakmarrëse ajrore të SHBA-së të nisura gjatë natës, raporton agjencia shtetërore e lajmeve INA.
Reagimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara thanë se nisën sulme hakmarrëse në 85 objektiva në Siri dhe Irak. Në një deklaratë, zëdhënësi i qeverisë irakiane Bassem al-Awadi thotë se sulmet e SHBA-së goditën lokacione në qytetet irakiane Akahat dhe al-Qaim, “duke përfshirë zonat ku janë vendosur forcat tona të sigurisë”. Deklarata akuzon SHBA-në për kthimin e territorit të Irakut në një “shesh beteje për larje hesapesh”.
Ai vazhdon duke thënë se është e domosdoshme që “të gjitha palët e përfshira të kuptojnë se toka dhe sovraniteti i kombit tonë nuk duhet të shërbejnë si një skenë për shkëmbimin e mesazheve apo shfaqje të forcës nga kundërshtarët”.
Qeveria irakiane thotë se të paktën 16 persona, përfshirë civilë, janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur në vend si rezultat i sulmeve të kryera nga ushtria amerikane gjatë natës. Një zëdhënës i përshkroi sulmet, të cilat synonin milicitë dhe interesat e mbështetura nga Irani, si një agresion të ri kundër sovranitetit të Irakut, duke thënë se ato e vendosën Irakun dhe rajonin në buzë të humnerës.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Sirisë ka dënuar sulmet gjatë natës së SHBA-së ndaj objektivave në Irak dhe Siri. Në një deklaratë, të shpërndarë nga agjencia e lajmeve Sana, ajo thotë se sulmet e SHBA kanë vërtetuar “edhe një herë se… forcat e saj ushtarake kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe ndezin konfliktin në rajon”. Qeveria siriane kundërshton praninë amerikane në vendin e saj, duke e quajtur atë një okupim.
Siria u rikthye si anëtare e Ligës Arabe me ndikim vitin e kaluar , më shumë se një dekadë pasi u përjashtua për shtypjen brutal të protestave pro-demokracisë, të cilat çuan në luftën civile të vazhdueshme. SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore kritikuan masën dhe së fundmi ritheksuan se nuk do të rivendosin marrëdhëniet me qeverinë siriane të Presidentit Bashar al-Assad.
Ndërkaq, Irani nëpërmjet një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme dënoi “me forcë” sulmet e SHBA në Irak dhe Siri. Në një deklaratë, Nasser Kanaani i përshkruan sulmet hakmarrëse si “shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial” të të dy vendeve. Ai thotë se sulmet përfaqësojnë “një tjetër gabim aventuresk dhe strategjik nga Shtetet e Bashkuara që do të rezultojë vetëm në rritjen e tensionit në destabilitet në rajon”.
Baza amerikane e cila u godit të dielën e kaluar në një sulm vdekjeprurës me dron në një cep veri-perëndimor të Jordanisë është një nga më shumë se një duzinë ku personeli ushtarak amerikan vepron në Irak, Jordani dhe Siri.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co