Një automjet tip BMW që u gjet e djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës dyshohet se është përdorur në atentatin me armë zjarri në Memaliaj, ku u vra 74- vjeçari Shyqyri Kalemi dhe dy persona të tjerë të pafajshëm, klienti Marsel Çela dhe kamarieri Gledio Muka.
I plagosur në këtë ngjarja të rëndë mbeti edhe vëllai i 74-vjeçarit, Artur Kalemi 57-vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Ndërkohë në këto shihet makina e djegur, brenda së cilës janë gjetur armë zjarri që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer krimin.

Nga zjarri në makinë ka marrë flakë edhe nje ndërtesë aty afër.
Armët pritet ti nënshtrohen analizave për të faktuar nëse janë përdorur ose jo në atentatin që shkaktoi 3 viktima dhe nëse ka gjurmë daktiloskopike të autorëve, që më pas mund të çojnë në identifikimin e vrasësve.
Si ndodhi ngjarja?
Viktima Shyqyri Kalemi ishte ulur në një tavolinë me vëllain e tij, Artur Kalemi, kur është qëlluar me breshëri mbrëmjen e 20 korrikut rreth orës 21:20. Si pasojë e të shtënave kanë humbur jetën edhe dy personat e tjerë, të pafajshëm. Kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela.
Referuar burimeve policore, nisur edhe nga një rindërtim i ngjarjes, pranë tavolinës ku ndodheshin vëllezërit Kalemi ishte Muka, ndërsa viktima tjetër ishte brenda lokalit, ku edhe e kanë kapur plumbat e qëlluar me breshëri.
SHENJESTRA
Sipas burimeve nga policia dyshohet se shënjestër e këtij ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, të cilit i janë bërë së paku 3 atentate. Një në një ishull të Greqisë, një në burg dhe një në Shqipëri. Po ashtu në janar të këtij viti i bënë atentat në Unazën e Madhe edhe të vëllait Zamir Kalemit në Tiranë.

PISTAT E HETIMIT
Grupi hetimor po heton si një nga pistat e atentatit vazhdimin e sagës së vrasjeve të Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës. Policia dyshon se Andrea (Adriatik) Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022, ndërsa Sadikaj i cili mbeti i vrarë më herët me tritol brenda makinës ishte i afërm i vëllezërve Kalemi.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co