Një detonator, i cili shërben për të ndezur eksploziv është gjetur pranë trupit të atentatorit të Donald Trump në Pensilvaninë perëndimore.
Sipas informacioneve dhe fotove të publikuara në mediat ndërkombëtare, detonatori, një pajisje e vogël drejtkëndëshe gri që i ngjan një telekomande televizori, është gjetur së bashku me një bateri rezervë dhe telefonin e Thomas Matthew Crooks.
“The Guardian” shkruan se artikujt u gjetën në çatinë nga ku Thomas Matthew Crooks qëlloi ish-presidentin e SHBA, kandidatin republikan për president, me një pushkë të stilit AR-15.
Motivet e të riut mbetën të paqarta, megjithëse zyrtarët thanë se kishin mundur të hynin në telefonin e tij. Burimet i thanë Washington Post se “pasja e telefonit nuk e ka zbardhur ende rastin”, megjithëse është zbluar se ka disa pista për tu ndjekur.
Makina e Crooks u zbulua se përmbante një kuti metalike me eksploziv të lidhur me një marrës, raportoi CNN, duke shtuar se hetuesit po shqyrtonin idenë që Crooks synonte të krijonte një shpërqendrim gjatë të shtënave.
WPXI gjithashtu raportoi për konfuzionin e vazhdueshëm se përse i armatosuri nuk u konfrontua para se të qëllonte mbi Trump.
Crooks u pa nga dëshmitarët dhe nga forcat e rendit, por nuk u përball me ta. Kimberly Cheatle, drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan, ka thënë se oficerët e policisë lokale ishin brenda ndërtesës nga e cila qëlloi Crooks.
Por, WPXI raportoi se policia lokale nuk ishte vendosur kurrë në ndërtesën në fjalë.
Nga të shtënat, Trump pësoi një dëmtim në veshin e tij të djathtë, ndërsa një pjesëmarrës në tubim u vra dhe dy u plagosën.
Gjithashtu, viktimë mbeti dhe atentatori 20-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga oficerët e sigurisë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co