Kombëtarja shqiptare e futbollit ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme në Ligën e Kombeve përballë Gjeorgjisë, e rëndësishme për renditjen në grupin e Ligës së Kombeve, por dhe për renditjen e FIFA-s, ku kishte filluar një rënie e cila po bëhej gjithnjë e më shqetësueses.
Falë suksesit ndaj gjeorgjianëve të cilët në muajin e kaluar me triumfin përballë kuqezinjve na kaluan në renditjen e përgjithshme, Shqipëria këtë herë ka qenë ajo që ka bërë kundër-parakalimin.
Kësisoj, me pikët e fituara këtë muaj sipas përllogaritjeve të sistemit të FIFA-s, Shqipëria kthehet përsëri në vendin e 65-të në këtë klasifikim, duke bërë një lëvizje me dy shkallë më lart. Ndërkohë, Gjeorgjia bie me një shkallë në vendin e 67 në renditje.
Sa u përket kundërshtarëve të tjerë në grup, Çekia është ngjitur nga vendi i 46-të, në vendin e 45 në renditjen e FIFA-s. Kurse Ukraina ka rënë nga vendi i 24-t, në vendin e 25-të pas rezultateve të fundit.
Duhet theksuar se Kosova është shumë pranë një arritje historike për të, pasi mban vendin e 101-të në renditjen e FIFA-s. “Dardanët” nuk kanë qenë asnjëherë më afër pranisë mes 100 vendet e para në klasifikimin e FIFA-s, në historinë e tyre.
PANORAMASPORT.AL