“Ekonomia kontrollon gjithçka,” thotë Chris Stinson, drejtor shitjesh në Karolinën e Jugut, “Ekonomia më shqetëson më shumë, atë do të mbaj parasysh kur të votoj këtë nëntor”.
Dhe Chris Stinsono nuk është i vetmi. Kur kanë mbetur më pak se 4 muaj deri nga dita e votimit, mirëqenia ekonomike, të ardhurat në xhepat e tyre, janë përparësi për amerikanët.
Një anketim i rrjetit CNN, javën e kaluar, tregoi se 36 për qind e të anketuarve thanë se ekonomia është përparësia e tyre kryesore se për cilin kandidad do të votojnë. “Mbrojtja e demokracisë” u rendit në radhë të dytë.
“Kujt t’i besoj me këtë gjendje ku ndodhet ekonomia?”, pyet zoti Stinson. “Jam i pavendosur. Demokratët duken krenarë që janë kundër biznesit dhe pro-forcimit të rregullave administrative për biznesin, por (kandidati i pritshëm republikan dhe ish-presidenti) Donald Trumpi na çoi drejt këtij inflacioni shkatërrues, kur ai prezantoi planin për të nxitur ekonominë gjatë periudhës së COVID-it”.
“Por di që këto çështjet e të tjera për të cilat demokratëve u pëlqejnë të flasin, duke dëmtuar individëve të bardhë si puna ime, duke shtuar rregullore kudo që të munden… njerëzve nuk u intereson as gjendja e oqeaneve, as se cilin tualet mund të përdorin transgjinorët, nëse ata janë të papunë, apo nëse nuk gjejnë dot një vend pune”, tha zoti Stinson për Zërin e Amerikës.
Ky shqetësim për ekonominë përjetohet pavarësisht zbutjes së inflacionit dhe një raporti mujor, më të mirë nga sa pritej, që tregonte se në qershor u hapën 206,000 vende të reja pune.
Megjithatë, shqetësimet lidhur me ekonominë ka të ngjarë të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Në qershor një anketim i rrjetit PBS News/NPR/Marist tregoi se 54 për qind e votuesve të regjistruar që u anketuan besonin se zoti Trump mund ta menaxhonte më mirë ekonominë, se sa Presidenti Joe Biden (45 për qind).
Votuesi demokrat nga Alabama, Collins Pettaway tha se ekonomia “do të luajë një rol të madh në këto zgjedhje, siç ka ndodhur shpesh dhe kam besim maksimal se Presidenti Biden do të vazhdojë të menaxhojë ekonominë në mënyrë të dobishme, ashtu siç bëri duke na nxjerrë nga pandemia e pashembullt dhe ekonomia e shkatërruar që trashëgoi në mandatin e tij të parë”.
Një komb i shqetësuar
Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew i muajit maj tregoi se vetëm 23 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara besojnë se ekonomia është në gjendje të shkëlqyer ose të mirë, nga 28 për qind që ndanin këtë mendim në fillim të vitit.
Ky ndryshim është kryesisht rezultat i votuesve demokratë, opinioni kolektiv i të cilëve ka rënë në 37 për qind, nga 44 për qind në janar.
“Është e pamundur të mohohen efektet e inflacionit”, i tha Zërit të Amerikës Carl Fink, një votues demokrat dhe baba i tre fëmijëve në Nju Orlins, të Luizianës. “Ushqimet, sigurimi i makinës, daljet për t’u argëtuar, janë të gjitha shumë më të shtrenjta tani. Por ato as nuk mund të krahasohen me rritjen e kostos për çerdhet apo kopshtet dhe shkollimin e mirë, në këto katër vjet, që përkon me kohën kur lindi fëmija ynë i parë. Gjithçka është shumë më e vështirë tani”.
Javën e kaluar, Rezerva Federale (Banka Qendrore) vuri në dijeni Kongresin se “pati rënie të dukshme të inflacionit vitin e kaluar dhe përparim modest deri më tani këtë vit”. Rezerva Federale thotë se pret që çmimet të mos rriten më me ritmin e lartë të këtyre viteve të fundit për shkak të inflacionit, por të kthehen në ritmin normal të rritjes të para COVID-19.
Por për shumë amerikanë që janë përballur me rritjet më të shpejta të çmimeve që nga fillimi i viteve 1980, diskutimet për ngadalësim të inflacionit nuk sjellin ndonjë përmirësim të gjendjes së tyre aktuale financiare.
“Ekonomia është faktori kyç në këto zgjedhje, sepse qytetarët si unë nuk po mund të përballojnë dot më atë që dikur konsiderohej baza e të jetuarit në Amerikë”, tha George Barisich, një peshkatar dhe votues republikan nga Shalmet, Luiziana.
“Çmimet e naftës dhe gazit kanë shkuar në qiell. Nuk po nxjerr dot më para”, tha ai.
“Të paktën Trumpi është një njeri i biznesit”. “Besoj se ai do të jetë në gjendje të na ndihmojë”.
Kur ekonomia vlerësohet sipas bindjeve politike…
Në një periudhë kur polarizimi politik po shtohet, profesori i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Clevelandit, David Stack thotë se votuesit i shohin treguesit ekonomikë sipas optikës së bindjeve politike.
“Nëse jeni demokrat, e vini theksin tek rënia e nivelit të papunësisë dhe thoni: “Shikoni se si Bideni i dha zgjidhje rrëmujës që trashëgoi nga Trumpi. Ai duhet të jetë president”, i tha zoti Stack Zërit të Amerikës. “Por nëse jeni republikan, e vini theksin tek niveli i inflacionit dhe thoni: “Shihni se si Bideni po e shkatërron ekonominë? Trumpi e menaxhoi më mirë, kështu që Trumpi duhet të jetë president”.
Zoti Stack thotë se shumica e republikanëve besojnë se shkalla e lartë e papunësisë në fund të mandatit të zotit Trump ishte rezultat i pandemisë, ndërsa demokratët besojnë se paketa stimuluese gjatë COVID-19 çoi në një rritje të parashikueshme të inflacionit.
Ndikimi në zgjedhjet e nëntorit
Shane Finkelstein, një votues demokrat nga Nju Orlinsi, i cili humbi biznesin e tij gjatë pandemisë dhe pas 2 vitesh tanimë ka gjetur një vend pune thotë se është i kënaqur me mënyrën se si zoti Biden e ka menaxhuar ekonominë.
“Është një nga çështjet më të rëndësishme me të cilat përballemi, dhe mendoj se është sektori ku Bideni vepruar më së miri”, tha zoti Finkelstein. “Inflacioni është një problem i madh, por zakonisht është gjithashtu pasqyrim i një ekonomie të fortë. Arsyeja që ka qenë më intensiv këtë herë është për shkak të COVID-it”.
Votuesi nga Merilendi, Nick Merson thotë se shpreson që nëse jo ekonomia, çështje të tjera, të tilla si kontrolli i armëve dhe qasja ndaj abortit, do të forcojnë pozitat e demokratit Biden për një mandat të dytë.
“Pikëpamjet aktuale rreth inflacionit dhe ekonomisë do të rezultonin në një fitore të lehtë për republikanët”, i tha zoti Merson Zërit të Amerikës.
“Por republikanët kanë gjithashtu kandidatin më toksik në histori. As ne nuk kemi ndonjë kandidat shumë të mirë, por këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme prandaj nuk mund të rrimë duarkryq”./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co