
Gati një muaj na ndan nga nisja e fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026. Shqipëria është në të njëjtin grup me Anglinë, Serbinë, Andorrën dhe Letoninë. Pavarësisht se kualifikimi duket i vështirë, Duka guxon për të pamundurën. Kreu i FSHF-së ka thënë përballë Gerti Çarçanit në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV” se në mendjen e secilit në Kombëtare është ngulitur ideja se Kombëtarja jonë është pretendente reale për Botërorin.
“Ne gjithmonë kemi pasur kritika dikur kur thonim që do të luanim për Europian. Kishte komente që thonin: ‘Ç’është kjo? Pse gënjeni? Pse talleni?’. Faktikisht ne u kualifikuam dy herë në Europian. Tashmë kualifikimi për në Botëror është shumë i vështirë, por ne do ta tentojmë. Anglia është një skuadër, përveçse me traditë, por me një formë të mirë sportive. Me një trajner të ri që do ta tregojë veten e vetë përpara tifozëve në ndeshjen e parë në “Uembli” përballë Shqipërisë.
Ne i kemi filluar të gjitha përgatitjet me mendimin e qartë, që ne do të luftojmë për në Botëror. Por edhe me përgjegjshmërinë dhe të ndërgjegjshëm për vështirësinë që ka arritja në Botëror. Mbetet për t’u parë. Kemi bërë çdo gjë akoma më mirë nga pikëpamja organizative, krahasimisht me kualifikueset apo me Ligën e Kombeve, për kushtet që i kemi krijuar skuadrës, për organizimin, për gjithçka. Unë besoj se e kemi ngulitur në mendjen tonë dhe në mendjen e stafit që ne jemi pretendentë realë për Botërorin”, ka thënë Armand Duka./Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news