Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe sekretari i Jashtëm britanik David Lammy mbërritën në Kiev për një vizitë të përbashkët të mërkurën, ndërsa Ukraina po i bën presion Perëndimit që ta lejojë atë të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.
Diplomatët e lartë arritën në kryeqytetin ukrainas me tren, disa orë pas debatit presidencial të SHBA-së, gjatë të cilit zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump u përplasën për luftën 2-vjeçare e gjysmë në Ukrainë.
Blinkeni udhëtoi nga Londra, ku akuzoi Iranin se e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Fath-360, duke e quajtur lëvizjen një “përshkallëzim dramatik” të luftës, raporton AP.
Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar miratimin për të përdorur armë me rreze të gjatë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë për të goditur objektivat në Rusi, dhe pritet të bëjë presion më të madh duke pasur parasysh blerjen e fundit të raportuar të armëve nga Rusia.
“Nëse na lejohet të shkatërrojmë objektiva ushtarakë ose armë të përgatitura nga armiku për sulme në Ukrainë, sigurisht që do të sillte më shumë siguri për civilët tanë, njerëzit tanë dhe fëmijët tanë”, ka thënë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal në një konferencë shtypi në Kiev të martën.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co