“Shqipëria nuk do të jetë peng i një grushti njerëzish që kanë hallet e tyre me drejtësinë, asgjë nuk do t’i ndalojë demokratët të mbrojnë dhe përfaqësojë idealet e lirisë, demokracisë, të mbrojnë dhe ruajnë aleancat euroatlantike dhe të mishërojnë ëndrrat e shqiptarëve për ndryshim”,këtë deklaroi ish-kryetari i PD, Lulzim Basha nga Korça nga ku zhvilloi një aktivitet me të rinjtë e këtij qyteti.
Basha tha se sot beteja është mes shqiptarëve që duan ndryshim dhe aleancës Rama-Berisha që duan ta mbajnë status quo-në, ta përdorin Shqipërinë për hallet e tyre.
Ai gjithashtu u shpreh se në 90-ën, të rinjtë qëndruan dhe fituan betejën me regjimin më të egër komunist të Europës, që për shumëkënd dukej e pamundur dhe sot, përtej sfidave dhe vështirësive, të rinjtë do t’i prijnë këtij ndryshimi historik që u kthen Shqipërinë shqiptarëve dhe e nxjerr nga kthetrat e një grupi politikanësh të korruptuar, që duan ta përdorin si plaçkën e tyre.
“Ne kemi shpalosur një alternativë, dhe duam ta diskutojmë me ju nëse është alternative e duhur për t’iu bindur që në rradhë të parë të bëjmë betejë për këtë alternativë. Dhe së dyti, për t’ia shpalosur shqiptarëve dhe për t’i kërkuar që të na ndjekin në një rrugë tjetër. Boll më me këtë rrugë të vjetër, nuk ka zgjidhje kjo rrugë e vjetër. Kjo ka vetëm halle, ka vetëm probleme, ka vetëm drama, ka vetëm largimin. Ata duan të vazhdojnë këtë lojë fallco me njëri-tjetrin. Mua personalisht jo vetëm që nuk më shkurajon ky bashkim i të vjetrës kundër alternativës, kundër projektit të shpresës, por më motivon më shumë se tregon që ata kanë frikë” – tha Basha.
Teksa diskutonte për aktualitetin, Basha u ndal te alternativa e PD për të rinjtë, e cila u shpalos në Kuvendin Programor, rezultat i punës i mbi 100 ekspertëve vendas e të huaj.
Një nga pikat e programit, i cili njihet me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”, është edhe NEXTGEN, i cili parashikon ndërtimin e 4 kampuseve kombëtare ku do të trajnohen 25 mijë të rinj në fushat prioritare të teknologjisë së informacionit dhe programimit. Po ashtu parashikohen trajnim/praktikë pune e paguar 1 vjeçare për të marrë një profesion per 10mijë te rinj pas shkolles se mesme (që nuk vazhdojnë universitetin) por edhe për student të sapodiplomuar, si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës.
Basha tha se këto janë investime plotësisht të realizueshme, që frenojnë largimin e të rinjve.
“Si të dalim nga kjo situatë? Si të dalim nga kjo gjendje? Me një projekt të qartë që ia kthen Shqipërinë të rinjve, ua kthen shanset dhe mundësitë të rinjve. Siç e thamë, që nga shkollimi, që nga përgatitja profesionale.
Ekonomia e re. Cila është ekonomia e re? Që nga teknologjia e informacionit, tek robotika, tek energjia e rinovueshme, te bioteknologjia. Dhe me këto profesione ne mund t’i mbajmë të rinjtë shqiptarë këtu në Shqipëri me rroga minimale prej 2 mijë eurosh në muaj. Kush do ta lërë Korçën në qoftë se nesër ka një diplomim dhe një profesion që paguan 2 mijë euro në muaj? Askush nuk do ta lërë. Ky investim është plotësisht i mundshëm. Është një fraksion i abuzimeve të kësaj qeverie me inceneratorët.” – theksoi Basha.
Tashmë në krye të demokratëve eurotlantist, Basha tha se PD lindi si parti pro perëndimore, euroatlantike dhe do të mbetet e tillë sepse ky është interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co