Një nga konkurset më të kontestuara në vendin tonë është beteja për të siguruar një vend në Akademinë e Sigurisë.
Prej vitesh është kthyer në një gangrenë, pasi konkurruesit kanë shprehur pakënaqësi të mëdha në lidhje me elementët që janë përcaktuar si fitues, ndërkohë që kësaj here duket se ka dalë garant vetë kryepolici i vendit, Muhamet Rrumbullaku.
Ai në një reagim për mediat ka bërë me dije se do të ketë transparencë dhe kushdo që do të përzgjidhet në grupin prej 100 studentësh, do të jenë vetëm me meritë.
REAGIMI I KRYEPOLICIT
Në përfundim të fazës së parë të aplikimeve për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka garantuar se nga aplikuesit do të përzgjidhen 100 më të mirët. Rrumbullaku, në një deklaratë për mediet garanton se procesi i përzgjedhjes do të jetë transparent dhe i bazuar te merita. Ai në fjalën e tij thekson se interesi për të qenë pjesë e Akademisë së Sigurisë ka qenë i lartë.
“Mbyllja e fazës së parë të aplikimeve për ndjekjen e studimeve të larta dëshmoi një interes të madh të të rinjve dhe të rejave për të ndjekur Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit të Akademisë së Sigurisë. I organizuar për herë të parë në portalin “UAlbania”, procesi i pranimit në Akademinë e Sigurisë, si starti i një rruge të rëndësishme për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit, dëshmoi shkallën e lartë të besimit të publikut në punën tonë të përditshme”, – shprehet Rrumbullaku.
“Në emër të Policisë së Shtetit, dua të garantoj vajzat dhe djemtë që zgjodhën të aplikojnë për t’u bashkuar me uniformën e shenjtë të Policisë së Shtetit se, do t’i nënshtrohen një procesi seleksionimi ligjor e transparent, bazuar në shanset e barabarta dhe mosdiskriminimin, për të zgjedhur mes jush 100 më të mirët, të cilët do të nisin studimet në vitin akademik 2024-2025″, nënvizon Rrumbullaku.
Kreu i Policisë së Shtetit, më tej informoi se Akademia e Sigurisë, e akredituar si institucion i arsimit të lartë, me dy njësitë kryesore të saj, Fakultetin e Sigurisë e Hetimit dhe Kolegjin Profesional të Formimit Policor ofron programe cilësore dhe staf të kualifikuar mësimdhënës.
“Kam qenë i bindur dhe sot kjo bindje më forcohet, kur konstatoj interesin e shtuar të brezit të ri për të qenë pjesë e policisë, se rritja profesionale dhe integriteti i trupës së Policisë së Shtetit janë premisa të rëndësishme për shëndoshjen e organizatës, në përmbushje të misionit për sigurimin e rendit dhe luftën ndaj krimit e të gjitha paligjshmërive”, përfundon deklarata e Rrumbullakut.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co