
Trajnerit të Realit të Madridit, Karlo Ançeloti nuk i mungon asnjë detaj nga gjithçka që e rrethon klubin e tij ose më saktë skuadrën e tij.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Osasunës në Pamplona, ai e dinte fare mirë se ekuacioni Vinicius Arabia Saudite do të dominonte skenën. Dhe ishte përgatitur. Katër nga trembëdhjetë pyetje kishin këta personazhe si temë. Përgjigja e parë ishte më e gjata dhe më e plota në përmbajtje.
“A jam i lodhur? Po, jam i lodhur me këtë temë. A jam i shqetësuar? Jo. E shoh atë (Vinicius) të lumtur dhe ne jemi të lumtur me të. Është një temë për të cilën flitet jashtë, jo këtu. As ai. Vinicius është i etur për t’i bërë gjërat mirë, siç ndodhi në Mançester dhe do të vazhdojë, sepse ai po fillon të ketë një formë shumë të mirë fizike”. Seria ka vijuar më tej. I pyetur nëse ai mendon se klubi është shqetësuar nga fakti që shoqëruesit e Vinicius po ndjekin rrugën arabe, Ançeloti ishte i hapur. “Nuk e di këtë.. Por nuk habitem. Situata e Arabisë Saudite nuk duhet të jetë befasuese. Ata do të organizojnë Kupën e Botës në vitin 2034 dhe janë në një moment konkurrues, megjithëse më pak se Europa, për momentin… Por në të ardhmen, do ta shohim. A duhet të shkoj dhe unë në Arabi? Pse jo. Nëse dua të vazhdoj në botën e trajningut pas Realit nëse kjo është pyetja? Pse jo?”, u përgjigj Ançeloti. Me temën Vinicius-Arabia Saudite, Ançeloti iu kthye përditshmërisë, duke prekur të tjera tema që kanë të bëjnë me Realin e tij.
BELLINGAM – “Ai ka personalitet dhe karakter. Ai është shumë i ri dhe ka gjithçka për të qenë një nga liderët e këtij klubi. Këtu në Madrid nuk ka të padiskutueshëm. Por ai po tregon personalitet, karakter kundër rivalëve kërkues dhe të fortë… ai po ecën shumë mirë”. OSASUNA – “Vijmë nga një situatë pozitive pas fitores në Ligën e kampioneve kundër Mançester Sitit dhe do të na duhet ta konfirmojmë në Pamplona. Jemi kryesues në La Liga, jemi të motivuar dhe do të kërkojmë të ruajmë vendin e parë në një transfertë mjaft delikate. mendoj se ndeshja kundër Osasunës do të jetë një test i rëndësishëm për ne”.
AUDIOT E ESPANJOLIT – Reali pritet të marrë të hënën audiot e sistemit VAR për ndeshjen kundër Espanjolit ku madrilenëve iu mohua një gol dhe Espanjolit nuk iu ndëshkua me të kuq, ai që më pas do të ishte autori i golit të fitores. Ançeloti ka qenë i qetë në këtë drejtim. “Të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë nuk kam ndër mend ta dëgjoj, nuk më pëlqejnë këto akte. mendoj se Reali ka dëgjues të tjerë mjaft të mirë”.
LIDERSHIPI – “E përmenda edhe më lart se Osasuna do të jetë një test i rëndësishëm për ne. Do të përballemi me një skuadër që luan një futboll intensiv. Ndaj nëse nuk e kuptojmë këtë rrezikojmë të lëmë kockat atje”.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL