Nëse në ndeshjen me Gjeorgjinë në “Air Albania” do të kishte rotacion, ndoshta ajo humbje nuk do të vinte dhe situata do të ishte komplet ndryshe.
Çdo skuadër ka nevojë për ndryshime, kjo e reflektuar edhe nga mënyra sesi janë përcaktuar të luhen ndeshjet së fundmi, ku kombëtaret duhet të zbresin në fushë çdo tri ditë. Silvinjo e kuptoi diçka të tillë pas humbjes në Pragë dhe në Tbilisi, ku Shqipëria mori një fitore shumë të rëndësishme, ekipi kishte freskinë e duhur, agresivitetin e duhur, kompaktësinë e duhur dhe mbi të gjitha stimujt dhe impulsin e duhur. Një skuadër që mbronte i gjithi në bllok, aq sa pas ndeshjes, autori i golit Kristjan Asllani në deklaratën e dhënë u “lut” se skuadra duhet të mbrojë gjithmonë kështu, edhe në dy përballjet e fundit në Tiranë, ku presim Çekinë dhe Ukrainën.
KTHEHEN SENATORËT Nëse në pjesën e parë po flisnim për ndryshimet e nevojshme, në muajin nëntor do të presim edhe rikthimin e disa senatorëve si kapiteni Gjimshiti apo Rei Manaj në repartin sulmues, aty ku nevoja është shumë e madhe. Daku do të mungojë për pezullim ndeshjen e parë dhe nuk dihet nëse Tuci do të jetë sërish pjesë e listës. Në lojë mund të hyjë edhe Broja, edhe pse në ato data është menduar rikthimi i tij në fushë, do të shihet nëse do të vihet në dispozicion edhe të Kombëtares.
KA VEND PËR TUCIN? Në ndeshjen e dytë, nëse ekipi merrte shpeshherë frymë, kjo ishte edhe për meritë të Indrit Tucit. Silvinjo i besoi nga minuta e parë edhe pse kishte Dakun aty, dhe ai asist për Asllanin në momentin e golit vlen shumë, por sa i rëndë do të jetë, do të peshohet në “kandarin” e nëntorit, aty ku trajneri do të shpallë listën e radhës.
PAQE ME BAREN Nëse kishim Qazim Laçin si një alternativë për pjesën e dytë, mesfushori po tregon se është një titullar me Silvinjon. Atëherë në stol kemi Abrashin, ndërkohë edhe të rinjtë Pajaziti dhe Medon Berisha. Ramadani duhet edhe të pushojë ndonjë ndeshje, megjithatë Bare është aty dhe a do të ketë “paqe” me të. Kjo është diçka tjetër që do të shihet në nëntor, sepse këtë muaj, mesfushori fierak ishte i dëmtuar.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL