“Nëse nuk mund të fitosh, është e rëndësishme të mos humbësh.” Këto ishin fjalët e Stefan De Vrajit, heroit të papritur zikaltër, që me golin e tij shmangu humbjen e tretë në po aq derbi në këtë sezon.
Fjalë të shenjta dhe të kuptueshme për një barazim që ndikon pak për renditjen e kampionëve të Italisë, por që rezulton thelbësore për moralin e një ekipi të cilin e presin ndeshje vendimtarë gjatë muajit shkurt.
Porta e Menjasë u duk e mallkuar për Interin gjatë gjithë pjesës së dytë, me portierin francez që gjeti një aleat të papritur dhe të paçmuar në shtyllën e tij të majtë, që i shmangu tri gola në po aq goditje nga Bisek, Turam dhe Dumfris.
Dhe kur fantazmat e Superkupës po fluturonin mbi një “San Siro” kuqezi që po shijonte një tjetër sukses ndaj kushërinjve, ja ku erdhi goditja e De Vrajit në të cilën kishte një ndikim edhe i ardhuri i fundit, Zalevski.
Nëse në Superkupë minuta e 93-të i kishte buzëqeshur “Djallit”, të dielën mbrëma rolet ndryshuan, duke respektuar objektivisht atë që ishte parë për më shumë se 90 minuta në fushë.
ZËVENDËSIME TË GJETURA – Krahasuar me rreth një muaj më parë në Riad, kur Konseisao kishte bërë zëvendësimet e duhura duke përmbysur avantazhin e dyfishtë, në derbin e fundit Inzagi nuk gaboi. Veçanërisht me besimin që i shfaqi Bisekut dhe Zalevskit.
Mbrojtësi gjerman goditi të parën nga tri shtyllat dhe më pas dërgoi krosin që ardhja e fundit e shënoi për De Vrajin i cili duke shënuar meritoi edhe çmimin “Lojtari i Ndeshjes”. Zielinski, dhe jo Asllani, ishte gjithashtu i paçmuar edhe në rolin e regjisorit në vend të Çalhanoglusë, i cili nuk ishte në maksimumin e tij pas një mungese të gjatë.
MORAL I LARTË – Në pjesën e dytë skuadra zikaltër me të vërtetë dha gjithçka, duke krijuar shumë raste, dhe nëse ka diçka për t’u zhgënjyer, është pjesa e parë, në të cilën Interi nuk mundi të sulmonte thellësinë siç duhet dhe në momentet e fundit lejoi një kundërsulm vdekjeprurës ndaj Leaos që solli në golin e Reijnders.
Lautaro me shokë u futën në telashe vetëm në 7-8 minutat e fundit, në të cilat i dhanë shanse portugezit dhe vetë holandezit. Më pas në pjesën e dytë ishte praktikisht një ndeshje në një portë, sidomos për çerek orëshin e fundit. Nuk mjaftoi për të marrë tri pikët, por morali dhe siguria e krijuar deri tani nuk pësuan asnjë goditje.
PANORAMASPORT.AL