Shtohen vendet që ndërpresin fondet për agjencinë e OKB-së për palestinezët

shtohen vendet qe nderpresin fondet per agjencine e okb se per palestinezet
shtohen vendet qe nderpresin fondet per agjencine e okb se per palestinezet

Britania, Italia, Holanda dhe Finlanda iu shtuan të shtunën vendeve që ndaluan fondet për agjencinë e OKB-së për refugjatët për palestinezët (UNRWA), pas akuzave se disa pjesëtarë të personelit të saj ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kanadaja njoftuan më herët se i kishin ndërprerë fondet për agjencinë e ndihmave, pas akuzave nga Izraeli.

Agjencia tha të premten se kishte hapur një hetim për disa punonjës dhe kishte ndërprerë lidhjet e punësimit me ta.

Duke bërë thirrje për pezullime të mëtejshme të fondeve, Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se UNRWA duhet të zëvendësohet sapo të përfundojnë luftimet në enklavë dhe akuzoi UNRWA-n për lidhje me militantët islamikë në Gazë.

“Në procesin e rindërtimit të Gazës, UNRWA duhet të zëvendësohet me agjenci të përkushtuara ndaj paqes dhe zhvillimit të vërtetë,” shtoi ai në platformën X.

Një zëdhënës i OKB-së, Farhan Haq, i pyetur në lidhje me komentet e e ministrit Katz, u përgjigj: “Ne nuk i përgjigjemi retorikave. UNRWA në përgjithësi ka një histori të gjatë pozitive, të cilën ne e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur.”

UNRWA ka hedhur poshtë akuza të ngjashme në të kaluarën dhe ka theksuar se është një agjenci ndihmash dhe humanitare. Ministria e Jashtme palestineze kritikoi atë që e përshkroi si një fushatë izraelite kundër UNRWA-s.

UNRWA u krijua për të ndihmuar refugjatët e luftës së vitit 1948 dhe ofron shërbime arsimore, shëndetësore dhe ndihma për palestinezët në Gazë, Bregun Perëndimor, Jordani, Siri dhe Liban.

Ajo ndihmon rreth dy të tretat e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës dhe ka luajtur një rol kryesor për shpërndarjen e ndihmave gjatë luftës që Izraeli filloi pas sulmit të 7 tetorit me synimin për të eliminuar Hamasin.

Londra tha të shtunën se po ndalonte përkohësisht fondet për UNRWA-n ndërsa shqyrtohen akuzat.

“Qeveria italiane ka pezulluar financimin e UNRWA-s pas sulmit mizor ndaj Izraelit më 7 tetor”, tha Ministri i Jashtëm Antonio Tajani në platformën e mediave sociale X.

Holanda dhe Finlanda gjithashtu thanë se po pezullojnë fondet.

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini njoftoi të premten për hapjen e hetimit dhe tha se kishte vendosur të ndërpriste kontratat e disa anëtarëve të personelit, për të ruajtur aftësinë e agjencisë për të ofruar ndihmë humanitare.

Zoti Lazzarini nuk bëri të ditur numrin e punonjësve të dyshuar të përfshirë në sulme, as natyrën e përfshirjes së dyshuar të tyre.

Ai shtoi se se “çdo punonjës i UNRWA-s që ishte i përfshirë në akte terrori” do të mbahet përgjegjës, duke përfshirë ndjekjen penale.

Hussein al-Sheikh, kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha se shkurtimi i mbështetjes për agjencinë shkakton rreziqe të mëdha politike dhe për përhapjen e ndihmave.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë, një dhurues kryesore për UNRWA-n, përshëndeti hetimin e ndërmarrë prej saj, duke thënë se ishte thellësisht e shqetësuar për akuzat e ngritura kundër punonjësve të agjencisë.

“Ne presim që Lazzarini t’ua bëjë të qartë punonjësve të UNRWA-s se të gjitha format e urrejtjes dhe dhunës janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen,” tha ai në X.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →