Wanda Nara ka akuzuar Mauro Icardin, futbollistin dhe ish-bashkëshortin e saj, për një tentativë vjedhjeje prej 70 mijë dollarësh dhe dhunë në familje.
Sipas mediave argjentinase, dhuna ka ndodhur në apartamentin e ish-kapitenit të Interit në Buenos Aires.
Wanda Nara mësohet se kishte shkuar për të parë vajzat e saj Isabella dhe Francesca pasi ishte kthyer nga një udhëtim në Brazil me partnerin aktual, reperin L-Gante.
Ishte vonë dhe vajzat ishin duke fjetur kur mes ish-çifit shpërtheu një debat i dhunëshëm pasi lojtari nuk donte që gruaja të largohej.
Megjithatë, në një moment, Wanda Nara kishte arritur të merrte gjërat e saj dhe të largohej nga banesa. Gjithashtu ajo ka akuzuar futbollistin për tentativën për ti marrë një shumë prej 70 mijë dollarëve.
Mauro Icardi dyshohet se ka marrë njoftimin për akuzën, shoqëruar me detyrimin për ta lejuar Wanda Nara të kthehej në shtëpinë e saj.
Ai gjithashtu duhet të paraqitet më 15 nëntor në seancën e parë të procedurës së divorcit mes të dyve. Ndërsa Mauro ka deklaruar se akuza për dhunë me bazë gjinore ishte një ekzagjerim nga ana e ish-bashkëshortes së tij.
Skuadra aktuale e Icardit, Galatasaray, ka lëshuar një deklaratë duke komentuar këto raportime: “Spekulimet për lojtarin tonë Mauro Icardi nuk pasqyrojnë të vërtetën. Lojtari (i cili së fundmi pësoi një dëmtim të rëndë në gju) po qëndron në Argjentinë. Ju lutemi mos u kushtoni vëmendje këtyre lajmeve që synojnë të lodhin atletët tanë.”