Diego Milito ishte protagonist i një interviste të gjatë në “TyC Sports”. Mes temave kryesore sigurisht që ishte Interi aktual dhe historia që ka bërë me këtë fanellë.
“Flas shpesh me Lautaro Martinezin. Kemi një raport të shkëlqyer bashkë. E njoh që kur ishte adoleshent dhe debutoi kur unë isha lojtar dhe më zëvendësoi në fushën e lojës. Ekziston edhe një foto e bukur. E vërteta është që ai ka një zemër të madhe dhe më bën të lumtur kur e shoh në fushë.
U befasuam të gjithë nga renditja e tij në vendin e shtatë sepse ka bërë një sezon të shkëlqyer dhe mund ta fitonte”, tha fillimisht Milito. Më tej foli edhe për raportin me Murinjon. “Ai duket si i egër nga jashtë, por në dhomat e zhveshjes është tjetër njeri.
Nga jashtë duket i keq sepse mbron skuadrën me çdo mënyrë, por kur e njeh e kupton zemrën e tij të madhe. Për mua ka qenë i jashtëzakonshëm. Kur firmosa me Interin më telefonoi për të më dhënë mirëseardhjen. Unë i thashë që dua numrin 22 dhe e dija që e kishte portieri Orlandoni në atë kohë. Unë i thashë që në fakt nuk ishte problem edhe nëse nuk e merrja, por kur shkova në ekip Orlandoni më tregoi. Murinjo i kishte kërkuar që të lironte fanellën me numrin 22 për ta marrë unë”, thotë “Il Principe”. Një tjetër histori me portugezin. “Im atë erdhi një ditë në stërvitje, por nuk donte që të na bezdiste dhe po qëndronte larg.
Zhoze më tha: Diego, është babai yt ai? Unë e konfirmova dhe shkoi ta takonte: Zotëri nuk mund ta shohësh stërvitjen. Nuk mund ta shohësh këtu larg. Do të vish me mua aty. Ne vraponim në fushë dhe unë shihja Murinjon me tim atë”, thotë argjentinasi.
KRITIKAT– Por Murinjo dinte të bëhej edhe i “keq”. “Një nga ndeshjet e para tonat ishte kundër Xhenoas, klubi ku unë shkëlqeva dhe kisha miqtë e mi. Përpara pak javësh stërvitesha aty. Doja të shkoja në dhomat e zhveshjes me ta, t’i përshëndesja dhe t’i takoja. Në fundin e pjesës së parë u futa në dhoma dhe më thotë: Dëgjo Diego. Nuk do të luash me ne? Shumë përqafime, shumë përshëndetje. Nëse nuk do më thuaj dhe të aktivizoj një sulmues tjetër. Ma tha përpara të gjithëve. Kishte të drejtë që unë ndihesha disi ndryshe në atë ndeshje dhe pa shumë grintë”, përfundoi Diego Milito.
PANORAMASPORT.AL