Bekim Balaj nuk do të veshë më fanellën kuqezi. Sulmuesi shqiptar ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja. Lajmin e ka bërë të ditur vetë faqja zyrtare e FSHF-së, e cila ka komunikuar vendimin e marrë nga lojtari shkodran. Federata Shqiptare e Futbollit e ka falenderuar Bekim Balajn për kontributin e dhënë ndër vite në ekipin tonë kombëtar.
“Bekim Balaj ka vendosur të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi kuqezi, i cili aktivizohet në kampionatin “Abissnet Superiore” me Vllazninë, i ka komunikuar vendimin e tij trajnerit Silvinjo, stafit teknik dhe Federatës së Futbollit.
Gjatë karrierës së tij me Kombëtaren kuqezi, Bekim Balaj, u aktivizua në 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola. I pari është edhe më i veçanti, pasi realizimi ndaj Porugalisë dhe fitorja historike e Shqipërisë me golin e Bekim Balajt në “Estádio Municipal de Aveiro” bëri krenar të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Europianin “Francë 2016”. Gjithashtu, Balaj ishte pjesë e Kombëtares në atë Europian ku u aktivizua në fitoren ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0.
Federata e Futbollit falënderon sulmuesin Bekim Balaj, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në fushën e lojës me fanellën kuqezi, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar dhe i uron sa më shumë suksese në të ardhmen”, ka komunikuar FSHF-ja./Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news