Trajneri nga Kosova që goditi me shuplakë sportisten 8-vjeçare pas humbjes së kësaj të fundit në Kampionatin Evropian të xhudos në Tiranë është pezulluar për gjashtë muaj.
Trajneri Valmir Fetiu u kritikua ashpër në rrjete sociale për gjestin e tij ndaj tetë vjeçares garuese në sportin e xhudos.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se trajneri nga Suhareka u pezullua sot nga Federata Evropiane e këtij sporti luftarak.
Trajneri u pezullua për gjashtë muaj nga të gjitha aktivitetet vendore dhe ndërkombëtare. Lajmin e vendimit të marrë nga Bordi Mbikëqyrës i Garës bëri të ditur sot Federata Evropiane.
Lidhur me rastin e paprecedent ka reaguar në rrjetin social Facebook edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.
Reagimi në Facebook
“Dhuna nuk ka arsyetim, nuk duhet përdorur kurrë si mjet disiplinimi, pasi ajo dëmton mirëqenien emocionale dhe zhvillimin psikologjik të fëmijëve, duke krijuar frikë dhe pasiguri në vend të respektit dhe vetëbesimit. Po ashtu, KOMF thekson se federatat dhe klubet sportive duhet të kenë rregullore të posaçme dhe procedura për mbrojtjen e fëmijës me qëllim të krijimit të një sistemi të brendshëm që parandalon dhe reagon ndaj shkeljeve të të drejtave të fëmijës. Ne kemi përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët zhvillohen në mjedis të sigurt dhe përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen”.