Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti foli për mediat përpara se të përballet me Osasunën sot në “Bernabeu”. Do të jetë një ndeshje me rëndësi jetike për “Los Blancos” pas shuplakave të fundit dhe trajner italian ua ka përcjellë qartë mesazhin lojtarëve të tij. Ai pretendon se ka identifikuar problemet e mbrojtjes së ekipit dhe shpreson të shohë një ndryshim, një reagim.Osasuna – “Është një skuadër që po bën shumë mirë, janë në pozita komode në renditje. Ne e shohim ndryshe. Për ne është një mundësi e mirë për t’i bërë gjërat përsëri siç duhet. Kjo ndaj Osasunës mund të jetë një mundësi për të fituar përsëri”.
Gjendja e ekipit – “Kemi punuar mirë dhe mendojmë se e kemi gjetur zgjidhjen e problemeve që kemi pasur. Por këtë gjë duhet ta vërtetojmë në praktikë. Ekipi është i vetëdijshëm për atë që po ndodh”.
Zgjidhja – “Unë mendoj se ky (salla e konferencave) nuk është vendi më i mirë për të folur për problemet që kemi pasur. Kemi humbur dhe duhet t’i bëjmë gjërat ndryshe”.
Mbape dhe Franca – “Unë nuk do të flas për këtë çështje, nuk jam unë ai që do ta gjykoj vendimin e trajnerit të kombëtares franceze. Ne duhet ta pranojmë atë, sepse i takon atij të vendosë. Mbape është i motivuar dhe i zhgënjyer nga ajo që po ndodh”.
Humori i Ançelotit – “Në përgjithësi më njihni për sensin tim të humorit. Por ky nuk është momenti i duhur për të folur apo për të bërë humor. Nuk është koha për të qeshur. E vlerësoj gjithë kohën që kaloj këtu, këto janë kohë të vështira, por e vlerësoj që jam këtu”.
Problemet e ekipit – “Mezi pres të shoh se çfarë do të bëjë skuadra në fushë për ato çfarë kemi biseduar mes nesh këtë javë. Është një problem në mbrojtje dhe ne e dimë mjaft mirë”.
Pozicioni i Mbapesë dhe Vinicius – “Nuk kam dashur të ndryshoj pozicionin e lojtarit që bën diferencën. Por edhe për faktin se Mbape ka karakteristikat për të luajtur si sulmues. Unë nuk dua ta ndryshoj këtë. E thashë më lart, se nuk është problem në sulm por në mbrojtje”
Valverde – “Ai është shumë mirë, ka pasur probleme me shpinën, por tani është shumë mirë dhe ne po i bëjmë llogaritë me të në fushë”.
Mbështetja e klubit – “Kanë qenë netë të gjata, duke menduar dhe kërkuar zgjidhje, por unë kam mbështetjen e klubit, të lojtarëve… Tani ka dëshirë dhe motiv për të parë nëse ajo që kemi zbuluar mund të jetë zgjidhja”.
E ardhmja – “Ne do të luftojmë për të gjithë trofetë ku jemi në garë. Në një muaj do të kemi një shans për të fituar një titull (duke iu referuar kupës Ndërkontinentale)”.
Brazili – “Besoj se e sqarova pozicionin tim. Nuk jam bërë pishman që qëndrova në Madrid”.
PANORAMASPORT.AL