Një histori interesante është ajo e dy vëllezërve Shpendi, Cristian dhe Stiven. Në kohën që luanin të dy te Cesena, Stiveni shpërtheu si një makineri golash, ndërsa Cristiani u la në hije. Menjëherë pas atij super sezoni që për fat të keq nuk e gjeti Cesenën në Serinë B, Stiveni u nis në Serinë A te Empoli. Por në këtë skuadër Stiveni nuk arriti kurrë që të bind drejtuesit dhe më pas nisi tatëpjeta e tij.
Duke parë gabimin e të vëllait, Cristiani veproi më zgjuar. Menjëherë pas largimit të Stivenit, Cristiani mori vendin e tij dhe pati të njëjtin shpërthim golash, pak më tepër të shënuar se Stiveni dhe Cesena u ngjit në Serinë B.
Aktualisht Cristian Shpendi është golashënuesi më i mirë në Serinë B me 6 gola të shënuara, ndërsa pas tij vjen me 5 gola një lojtar i Juve Stabia. Por çfarë ka ndodhur? Pasi Cristiani shënoi 2 gola me penallti kundër Breshias, ai është pyetur nga gazetarët rreth Kombëtares së Italisë dhe faktit se Spaleti po e kërkon një sulmues që të jetë efikas para portës kundërshtare. Përgjigja e Shpendit ishte e shkurtër, por që të linte të kuptoje gjithçka: “Nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare për momentin”.
Kjo përgjigje nënkupton dëshirën e madhe të Cristianit për t’iu bashkuar Italisë nëse do t’i jepej mundësia. Një dorë po i vjen edhe mediat në Itali, teksa gazetari Gianluca Di Marzio ka bërë një shkrim të gjatë rreth kësaj situate, duke treguar gatishmërinë e Shpendit për t’iu bashkangjitur Italisë dhe faktit se Italia mund ta marrë ende nga Shqipëria.
Cristiani ka luajtur së fundmi me Shqipërinë U-21 kundër Armenisë U-21, por nuk arriti të shënojë dhe të bind kundër një kundërshtari që pësoi një “thes me gola” në grup. Edhe statistikat e Cristianit te Shpresat nuk janë më të mirat e mundshme, 7 ndeshje të luajtura dhe 1 gol i shënuar. Shumë pak për një sulmues. Ndërkohë Adrion Pajaziti që u ftua vetëm së fundmi nga Silvinjo, në rolin e mesfushorit ka luajtur për 13 ndeshje të Shpresat dhe ka shënuar plot 8 gola. Pra nëse i futemi statistikave, kemi një tjetër Shpendi te Cesena dhe kemi një tjetër Shpendi te Shqipëria.
Shqipëria po vuan shumë sa i përket një sulmuesi për ndeshjet finale të nëntorit në Ligën e Kombeve. Manaj është dëmtuar, Broja ende i dëmtuar, Daku është i rikthyer nga një dëmtim dhe nuk ka kapur formën më të mirë, Tuci është po e njëjta histori, të vetmet zgjidhje duken Uzuni dhe Seferi. Pra nuk përjashtohet situata që Cristian Shpendi të përfitojë nga ky moment dhe të ftohet nga Silvinjo për listën e nëntorit. A ishte e gjitha kjo një ndezje që Gianluca Di Marizo i bëri Shqipërisë për t’i dërguar një ftesë Shpendit në këtë moment apo sulmuesi ka vërtet shanse reale për t’iu bashkuar Italisë? Koha do ta tregojë, por Gianluca Di Marzio ka shkuar edhe më tej duke thënë se asnjë sulmues italian nuk është më i mirë se shqiptari, as në Serinë A.
Gazetari italian ka treguar këtu statistikat e golave të Shpendit në sezonin e shkuar dhe në këtë aktualin të sapo nisur, duke e vlerësuar Cristianin më tepër sesa Imobile, Reteguiu, Orsolini dhe Beloti. Por sigurisht që diferenca qëndron në faktin se golat e Cristianit janë shënuar ndaj rivalëve më të lehtë në Serinë C dhe për këtë arsye koeficienti i shënimit është i ndryshëm nga vështirësia që haset në Serinë A dhe këtë e provoi më së miri vëllai i tij, Stiveni, që pas një lumë golash të shënuar në Serinë C, po qëndronte në stol te Empoli në Serinë A. /Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news