Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka hedhur poshtë zërat për një “krisje” të marrëdhënieve mes institucionit që drejton dhe FSHF-së. Në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ai ka theksuar se marrëdhëniet vazhdojnë të jenë të shkëlqyera me presidentin Duka, pavarësisht këtyre zërave që i ka cilësuar të pavërtetë.
Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, Ademi ka theksuar se pavarësisht organizimit të përbashkët mes Shqipërisë dhe Serbisë të Europianit U21., ai nuk e shihte si një problem madhor, edhe pse shumë tifozë i janë kundërvënë këtij bashkëbisedimi. Njëkohësisht, nuk mungoi as dëshira e tij për të shmangur Shqipërinë në shortin e Botërorit.
Tre fitore radhazi në Ligën e Kombeve, vendi i dytë në grup. Sa i kënaqur jeni me ecurinë? Sa shanse keni për të fituar këtë grup?
Duke ditur cilësinë e lojtarëve dhe formën, sigurisht që do të isha i kënaqur me kualifikimin ose vendin e parë. Duke e vlerësuar skuadrën tonë dhe duke mos nënvlerësuar rivalin, duke patur parasysh që e kemi humbur ndeshjen e parë me Rumaninë, ne shkojmë në ndeshjen tjetër ndaj tyre për fitore. Uroj që lojtarët të jenë në formë të mirë deri atëherë, edhe trajneri Foda e ka njohur skuadrën.
Zoti Ademi, më shuaj një kuriozitet. Pse kaq shumë “rebelë” te Kosova, lojtarë të pakënaqur, pezullime, rikthime. Rasti Zhegrova është vetëm njëri prej tyre. Kaq e vështirë është të menaxhohet ky grup?
Në çdo kombëtare ka rregullore dhe nëse i thyen, do të ketë sanksione. Secili rast e ka dënimin e vet. Pjesa e largimit nga grupi rezulton me përjashtimin nga grumbullimi, diçka e tillë është bëra nga Foda me mbështetjen tonë. Unë nuk do të thosha që ka rebelizëm, por në gjithë botën, lojtarët janë në një format tjetër. Siç bëjnë gola, ndonjëherë bëjnë gjëra që nuk duhet.
President, cili është objektivi që keni? Pra, plani juaj? A mos ndoshta ka një kusht për Franko Fodën?
Dihet që synojmë kualifikimin. Me këtë ekip që kemi, futbollistët luajnë në Francë, Spanjë, apo Itali, kjo bën që ata të jenë në formë. Normal që pritet kualifikimi, pavarësisht humbjes së parë. Shpresoj që nga Rumania të kthehemi me fitore. Duam vendin e parë ose do të jemi me pikë të barabarta me Rumaninë.
E sigurt është që yjet nuk ju mungojnë. Së fundmi presidenti Duka u shpreh se me kënaqësi do i merrte Kosovës Zhegrovën. Po ju zoti Ademi kë do t’i merrnit Shqipërisë?
Kosova ka shumë futbollistë, madje disa prej tyre janë edhe në Shqipëri. Të dy kombëtaret kanë lojtarë të mjaftueshëm. Uroj që të vazhdojmë kështu. Ka shumë emra në Kosovë, janë rreth 200 emra në listë që duhet të harxhojmë atë listë, për të kërkuar më pas që të marrë ndonjë futbollist shqiptar. Duka e ka të lehtë sepse është mësuar të marrë lojtarë nga Kosova, ndërsa unë nuk kam marrë asnjë futbollist nga Shqipëria. Nuk kam ndonjë emër që do e kisha aktivizuar, edhe pse e meritojnë shumica.
E keni ndjekur Shqipërinë këtë periudhë? Çfarë mendimi keni për përfaqësuesen kuqezi? Çfarë ju pëlqen, apo do veçonit?
E kam ndjekur në Europian, e kam vlerësuar punën e tyre, është arritje e madhe e Dukës dhe Federatës. Ata kanë një ekip të fortë dhe po mendoj që trajneri Silvinjo ka bërë një punë të mirë. Nuk duhet të marrim pse e ka humbur një ndeshje, ne kritikojmë direkt, normalisht duhet prit epilogu i fundit. Besoj te Kosova dhe besoj te Shqipëria, sa i takon arritjes së objektivave.
Këtë periudhë duket sikur ka një ftohje, ose më saktë ka shumë zëra që bëjnë krahasime jo të hijshme, pakënaqësi të shprehura publikisht etj. Pse kjo fushatë negative, dhe si janë raportet tuaja me FSHF-në?
Nuk ka asnjë ftohje, nuk ka asnjë gjë që mund të prishë marrëdhëniet tona. Sot Duka ka qëndruar në Prishtinë, në baza ditore jemi në telefonata, jemi shumë afër dhe të gjitha udhëtimet i bëjmë bashkë. Thashethemet janë më shumë mediatike, nuk është asgjë e vërtetë. Konsultohemi të dy, por vendimet i marrim ndaras.
President keni komunikuar me Duken për organizimin e Europianit U-21 Serbi-Shqipëri? A është konsultuar me ju për këtë organizim? Cili është opinioni juaj për këtë?
Është ditur që ne nuk aplikojmë dot për organizimin pasi nuk i plotësojmë dot kushtet. Marrja e këtij kampionati u desh të bëhej në këtë formë, pra me dikë tjetër. Fatkeqësisht qëlloi Serbia, duke ditur raportet tona me ta. Unë e di që shqiptarët e Kosovës janë të zemëruar pasi nuk i kemi të mbyllura ende plagët e luftës. Është vendim i tyre, kështu që le të vazhdojmë!
Si është pritur nga opinioni në Kosovë ky vendim i FSHF-së? A do të ndikojë ky vendim në marrëdhënien mes dy federatave?
Mes dy Federatave nuk do ketë luhatje, por dihet që vendimi nuk është pritur mirë nga njerëzit. Kjo me Serbinë tejkalon pjesën e futbollit. Ne me Serbinë kemi probleme që ende nuk kanë përfunduar, ndaj kjo është arsyeja përse njerëzit janë prekur. Në Kosovë pothuajse çdo familje ka dikë që i është vrarë në luftë, ose i është zhdukur. Ende nuk ka një kërkim-falje nga Serbia. Gjithsesi, në një këndvështrim tjetër, në UEFA apo FIFA nuk ka politikë.
E fundit, në dhjetor do të hidhet shorti për kualifikueset e Botërorit. Do e preferonit Shqipërinë në grup?
Do doja që mos të ishim në një grup. Do doja që të luftonim në dy fronte të ndryshme. Nëse jemi bashkë, nuk duhet ta pengojmë njëri-tjetrin. Ne nuk ka lejohet që të luajmë me Serbinë. Cilado skuadër që të na bie përballë, për ne është në rregull. Ne duhet të kemi rival të lehtë.
PANORAMASPORT.AL