Liverpuli do të jetë pa Diogo Zhotën për ndeshjen e sotme në Ligën e Kampioneve ndaj Lajpcigut, pasi sulmuesi pësoi një dëmtim në kraharor kundër Çelsit. Portugezi u detyrua të largohej gjatë pjesës së parë të ndeshjes së të dielës në Premier Ligë, pasi u rrëzua nga mbrojtësi i bluve, Tosin Adarabiojo, i cili i ra sipër.“Ai mori një goditje, siç e pamë të gjithë, kur ai po përpiqej të shkonte në portë, u rrëzua”, tha trajneri i Liverpulit, Arne Slot.
“Ky nuk ishte problemi më i madh, por unë mendoj se lojtari tjetër ra mbi të dhe kjo e lëndoi aq shumë sa nuk mund të vazhdonte të luante dhe nuk mund të vinte me ne tani për tani. Është e vështirë të gjykosh në këtë moment për të parë se sa kohë do të zgjasë. Është e mavijosur”, shtoi holandezi, i cili është trajneri me startin më të mirë në historinë e Liverpulit.
Portieri Alison, mbrojtësi Konor Bredli, mesfushori Harvi Eliot dhe sulmuesi Federiko Kieza gjithashtu do të mungojnë në transfertën në Gjermani, me Liverpulin që do të përpiqet të bëjë tri fitore nga po kaq ndeshje në Ligën e Kampioneve. Kieza është kufizuar në vetëm tre paraqitje që nga transferimi në merkaton e verës nga Juventusi dhe Slot thotë se do të duhet pak kohë përpara se italiani të përshtatet plotësisht me futbollin anglez.
“Ai humbi një fazë përgatitore të plotë, këtë e kam thënë shumë herë dhe shkoi në një ligë ku intensiteti mund të jetë edhe më i lartë se liga italiane”, tha trajneri.
“Unë nuk mendoj kurrë se është një ide e mirë që të humbasësh një ndeshje. Në çdo moment të sezonit ti do rezultatin më të mirë të mundshëm. Ne do të përballemi me një skuadër të mirë, që po bën mirë në Bundesligë. Me këtë format dhe me dy ndeshje të luajtura ne kemi një klasifikim që nuk tregon të gjithë historinë. Ata janë një skuadër shumë e mirë. Po, ne kemi një kalendar të vështirë, por çfarë prisni kur luani në Ligën e Kampioneve? Kjo është ajo që na pëlqen dhe që duam”.
PANORAMASPORT.AL