Puna në qendrat e emigrantëve në Gjadër ka përfunduar. Sipas mediave italiane këto kampe, që do të menaxhohen nga qeveria italiane pritet të jenë funksionale javën që vjen.
Sipas TgCom, kampi i Gjadrit është dorëzuar të mërkurën dhe janë duke u bërë përgatitjet e para.
“Brenda një jave ambientet do të hapen për të akomoduar personat e parë që do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare”, shkruan media italiane.
Ndërtimi i dy qendrave një në Gjadër dhe një në Shëngjin përfaqëson një nga pikat themelore të marrëveshjes ndërmjet Romës dhe Tiranës, e cila synon të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore, të parandalojë flukset e parregullta migratore dhe të mirëpresë vetëm ata që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare.
Me memorandumin e mirëkuptimit, emigrantët e shpëtuar në Mesdhe nga anijet italiane do të mund të transferohen në kampet shqiptare.
Në Shëngjin do të kryhen procedurat e hyrjes (identifikimi dhe regjistrimi) të personave të zhvendosur në Shqipëri, për të mos mbipopulluar qendrat e pritjes.
Objekti – nën menaxhimin italian – do të jetë në gjendje të strehojë rreth 200 persona , të cilët do të identifikohen dhe do t’i nënshtrohen verifikimit të kushteve për pritje ose riatdhesim. Ndërtimi i kësaj strukture kushtoi 3 milionë euro .