Xhamia e Namazgjasë, Erdogan: I lumtur që ndodhem në këtë vend të shenjtë, do zerë vendin në kujtimet tona…

xhamia e namazgjase erdogan i lumtur qe ndodhem ne kete vend te shenjte do zere vendin ne kujtimet tona
xhamia e namazgjase erdogan i lumtur qe ndodhem ne kete vend te shenjte do zere vendin ne kujtimet tona

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, gjatë ceremonisë së inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë, tha se është shumë entuziast dhe shumë i lumtur që jam këtu.
“Miku im i çmuar Edi Rama, motrat dhe vëllezërit e mi shqiptarë, më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht me ndjenjat e mia më të thella”, iu drejtua Presidenti Erdogan të pranishmëve në ceremoni.

E financuar nga Turqia, xhamia e Namazgjasë është më e madhja në Ballkan, ndërsa Presidenti Erdogan, tha se është shumë i lumtur që ndodhet në këtë vend të shenjtë.

[embedded content]

“Themelet e saj i hodhëm në 2015 dhe uroj që ajo të sjellë mirëqënie për të gjithë shqiptarët dhe çdo besimtar mysliman në Rajon.

Dëshiroj të shpreh konsideratën, mirënjohjen, veçanërisht për mikun tim, për Kryeministrin Edi Rama, por edhe të gjithë shqiptarët që kontribuan për ndërtimin e kësaj vepre madhështore si xhamia e Namazgjasë”, tha Erdogan.

Presidenti turk tha se kjo xhami do të zërë vendin e saj në kujtimet tona që i kanë rrënjët shumë të thella, duke kaluar 6 shekuj.

Kjo xhami e cila është ndërtuar mbi 10 mijë m2, do ti shërbejë mbi 10 mijë besimtarëve myslimanë, tha Presidenti Erdogan, duke shtuar se xhamia e Namazgjasë është ndërtuar jo si një objekt kulti apo adhurimi, por do të jetë multifunksional, duke i shërbyer besimtarëve në çdo aspekt, duke përfshirë edhe sallën e konferencave, atë të studimit apo Bibliotekës.

Fjala e plotë

Fjala e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan: Me emrin e Allahut Xheleshanuhu, i nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, miku im i çmuar.
Të dashur, motra dhe vëllezërit e mi shqiptarë! Të nderuar, të ftuar dhe ju miq!

Më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht me ndjenjat e mia më të thella, me ndjenjat e mia më të përzemërta.

Esselamu Aleykum Ve Rahmetullahi Ve Berekatuhu!

Sot jam veçanërisht shumë entuziast dhe shumë i lumtur që jam këtu së bashku me ju. Dhe për këtë arsye, gjithsecilin nga ju dua ta falënderoj për të gjithë emocionin që më dhuruat.

Personalisht jam shumë me fat sot që ndodhem në këtë ambient të shenjtë dhe për këtë arsye i lutem Allahut Xheleshanuhu që xhamia e Namazgjasë e cila është xhamia më e madhe në Ballkan, për të cilën themelet e saj i hodhëm në 2015, të sjellë dobi për gjithë shqiptarët, për myslimanët mbarë në Ballkan.

Dëshiroj të shpreh konsideratën, mirënjohjen time dhe falënderimet mia më të thella veçanërisht për mikun tim, Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama për të cilin përgjatë këtij procesi të ndërtimit të xhamisë Namazgja, xhami kjo e ndërtuar me kontributet, me investimet e Kryesisë së çështjeve fetare të Turqisë dhe njëkohësisht dua të falënderoj këtu në prezencën tuaj gjithë shqiptarët të cilët kanë kontribuar sadopak në realizimin e kësaj vepre madhështore.

Xhamia e Namazgjasë, një xhami më e madhja në Ballkan që tashmë do të zërë vendin e saj në kujtimet tona të cilat i kanë rrënjët shumë të thella duke tejkaluar dhe 6 shekuj.

Xhaminë e madhe të Namazgjasë e kemi projektuar si një strukturë e cila në brendësinë e saj mbart, transmeton vlerat që nga tradita për në të ardhmen, integron pra vlerat e tjera të lashtësisë dhe historisë sonë dhe deri tek teknologjia më e re që është përdorur gjatë ndërtimit dhe sidomos, siç e shikoni, serviret shumë bukur arkitektura klasike osmane e cila dominon në Ballkan.

Kjo xhami e cila është ndërtuar mbi 10 mijë metra katrorë, do t’i shërbeje 10 mijë besimtarëve myslimanë të cilët falin namazin.

Xhamia e Namazgjasë është ndërtuar jo vetëm si një objekt kulti, si një objekt ibadeti, si një objekt adhurimi, por është menduar akoma më e gjerë, multifunksional, për të cilën do t’i shërbejë besimtarëve në çdo aspekt duke e menduar si një kompleks social , ku brenda saj ka salla konferencash, ka bibliotekën, ka dhoma studimi ka edhe ashensor për të gjithë ata të cilët janë me aftësi të kufizuara.

Dhe ne kështu synojmë të pasqyrojmë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë nën moton e muzeut të bashkëjetesës së kulturave ballkanike që ndodhet brenda kompleksit të Xhamisë së Namazgjasë.

Njëkohësisht, dua të shprehem se Xhamia e Namazgjasë do të jetë simboli i miqësisë, i vëllazërisë dhe solidaritetit mes nesh.

Dhe njëherë, këtu në mesin tuaj dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë vepër shumë madhështore që tashmë do të mahnisë të gjithë ata që e shikojnë, sidomos me qetësinë shpirtërore dhe integritetin e brendshëm të zemrës që i ofrojnë njeriut, tashmë është shndërruar në një vepër të paprecedentë.
Dua të theksoj një fakt këtu se prioriteti ynë është të thellojmë akoma më tutje marrëdhëniet tona, raportet tona vëllazërore, miqësore, kulturore me Shqipërinë për të cilën e kemi si detyrim që buron nga raportet e mira të vëllazërisë mbi themelet e sinqeritetit.

Janë dy kombe, dy popuj të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur njëri-tjetrin në çdo rast, në çdo fatkeqësi dhe i kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit me të gjitha mundësitë.

Së fundmi, solidariteti i treguar nga populli turk dhe ai shqiptar gjatë fatkeqësive të tërmetit të ndodhura në vendet tona ka dhënë një shembull konkret për mbarë komunitetin ndërkombëtar.

Njëra nga veprat më bazike të këtij solidariteti shumë të sinqertë vëllazëror mes dy vendeve tona ka qenë spitali i miqësisë Turqi-Shqipëri i ndërtuar në qytetin e Fierit si dhe rezidencat apo shtëpitë e tërmetit të ndërtuara në qytetin e Laçit.

Dëshiroj të theksoj faktin se përsa kohë do të vazhdojmë kështu me këtë raport vëllazëror, miqësor do të vazhdojmë tu qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë.

Të dashur motra dhe vëllezërit e mi shqiptarë! Në qytetërimin, në mendimin islam koncepti “Xhami” ekziston në zemër të jetës dhe në qendrën e civilizimit si dhe në themelet e qytetërimit.

Njëkohësisht, xhamitë janë vende të shenjta ku reflektohen vlerat shpirtërore dhe vlerat që burojnë nga zemra për të cilën lavdërohen nga shoqëria, nga vëllazëria si dhe njëkohësisht e nxit bashkëpunimin dhe solidaritetin duke e mbajtur të gjallë dhe duke e shndërruar kështu unitetin e kësaj hapësire të xhamisë dhe në praktikë.

Njëkohësisht, xhamitë nuk janë vetëm vende ku thirret ezani me zë të lartë, xhamitë nuk janë vende vetëm për tu adhuruar, por janë vende për të thirrur njerëzimin në mirësi, në adhurimin në Allahun e vetëm si dhe i bashkon myslimanët në kupolën e vetme.

Kjo është feja jonë e madhe e cila në njëfarë mënyrë na imponon detyrën neve si myslimanë që jo vetëm të ndërtojmë xhamitë por tu dalim zot dhe t’i mbrojmë ato.

Njësoj sikur sot që po ndërtojmë dhe po hapim xhaminë, duhet të përpiqemi dhe në të ardhmen që të gjithë së bashku t’i jetojmë këto vlera të cilat na i ofron xhamia dhe t’i mbajmë gjallë këtu mes nesh.

Ne nuk duhet të shkëputemi për asnjë moment nga feja islame, nga feja e paqes dhe nuk duhet tua lëmë bosh sheshin, fushën të gjithë atyre grupeve apo qarqeve të cilët ushqejnë interesat e tyre për qëllimet e veta personale.

Pra, kjo është detyra e çdo myslimani që ka vetëdije dhe ndërgjegje. Xhamia e Namazgjasë është xhamia e vëllezërve tanë myslimanë, me zemër dhe ndërgjegje të pastër.

Turqia do të vazhdojë tu qëndrojë pranë të gjithë atyre që kanë nevojë dhe njëkohësisht nga këtu u përcjell të gjitha përshëndetjet për të gjithë vëllezërit të cilët sot janë këtu prezent.

Të dashura motra dhe vëllezërit e mi shqiptarë. Siç e dini dhe ju, ka kaluar një vit nga fillimi i gjenocidit i cili është startuar nga Izraeli në Gaza dhe në territoret e saj të pushtuara, në tokat palestineze.

Janë 50 mijë vëllezër tanë të pafajshëm palestinezë të cilët kanë rënë martirë, shehidë, janë vrarë në sulmet e Izraelit si dhe mbi 100 mijë janë plagosur. Janë bombarduar xhami, kisha, shkolla, universitetet dhe vendet e pazarit të tregut apo të punës ku ata ushqeheshin. Qeveria izraelite vazhdon sulmet e saj barbare ndaj fëmijëve, grave, minorenëve si dhe të moshuarve në Palestinë dhe tani Izraeli e ka çuar politikën e tij sulmuese, barbare, agresive në drejtim të Libanit.

Është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, të qëndrojnë kundra terrorizimit shtetëror për të cilën aplikohet nga Izraeli në Palestinë.

Qeveria e Izraelit dhe e Netanyahu ka treguar serish se nuk ka ndërmend të vendosë paqen atje në rajon dhe së fundmi e tregoi qartë duke e sulmuar dhe shtetin e Libanit.

Të dashur vëllezër dhe motra shqiptarë dhe një herë dua t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar nga ky vend i shenjë, nga këtu edhe një herë ndaj myslimanëve duhet të kemi përgjegjësi dhe ndërgjegje dhe ne nga ana tjetër duhet të mbajmë një qëndrim të përbashkët. I ndodhur brenda këtyre mendimeve dhe ndjenjave i lutem Allahut Xheleshanuhu të gjitha adhurimet, duatë, që do bëhen në këtë xhami të pranohen tek i madhi Zot. Shpresoj që xhamia jonë e Namazgjasë të jetë e hairit, të sjellë dobi për myslimanët shqiptarë, për myslimanët e mbarë Ballkanit.

Ju përshëndes dhe ju falënderoj përzemërsisht, me ndjenjat e mia më të përzemërta, më të thella, me respekt, me konsideratë dhe me dashuri!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →