FSHF sjell në Shqipëri ekspozitën unike të legjendës italiane të futbollit, Paolo Rossi

fshf sjell ne shqiperi ekspoziten unike te legjendes italiane te futbollit paolo rossi

Me iniciativën dhe mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit do të inaugurohet më 1 shkurt ekspozita mbi jetën dhe karrierën e ish-sulmuesit të famshëm italian, Paolo Rossi.

Pas suksesit të madh në ekspozitat e para në Romë, Milano, Firence, Torino, Trento, Rimini, Bolonja, Beograd, Venecia dhe Zyrih mbërrin edhe në Tiranë ekspozita e quajtur “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit”. Falë bashkëpunimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, qeverisë, Fondacionit “Paolo Rossi” dhe Ambasadës Italiane në Shqipëri, ky event i rëndësishëm ndërkombëtar do të jetë i hapur falas për publikun në Muzeun Kombëtar nga data 1 deri më 24 shkurt në Tiranë.

Në ceremoninë e inaugurimit, që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Kombëtar më 1 shkurt duke nisur nga ora 16:00, do të jenë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ambasadori Italian në Shqipëri, Fabrizio Buçi, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti, ish-trajneri Arrigo Sacchi, ish-futbollistët e famshëm Antonio Cabrini dhe Marco Tardelli gjithashtu dhe arbitri izraelit i finales së Botërorit 1982, Itali–Brazil, Abraham Klein.

Gjithashtu të ftuar do të jenë edhe personalitete të futbollit shqiptar si edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Hapësirat e ekspozitës, të cilat do të përshkruajnë në mënyrë kronologjike jetën dhe karrierën e Paolo Rossit, janë realizuar falë investimeve të rëndësishme për një projekt shumë të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar përsa i përket inovacionit dhe ndërtimit të ekspozitës mbi jetën e një personazhi të fushës të sportit.

Në veçanti, ekspozita do të paraqesë nëpërmjet telajove, paneleve, stampave, banerave, flamujve, monitorëve, dokumenteve dhe fotove një rrugëtim nga debutimi e deri në përmbylljet e karrierës së legjendës italiane me mbi 500 relike unike përfshirë këtu dhe trofetë më të rëndësishëm:

  • Topin e Artë të vitit 1982 nga “France Football”
  • Trofeun e Këpucës së Artë të golashënuesit më të mirë të Botërori “Spanjë 1982”
  • Trofeun e Topit të Artë si lojtari më i mirë Botërorit “Spanjë 1982”
  • Bluzën e finales së Botërorit “Spanjë 1982”
  • Këpucët e tripletës në ndeshjen ndaj Brazilit

Ekspozita gjithashtu do të presë në ambientet e saj një projekt të realitetit virtual, që do t’i japë mundësinë vizitorëve të përjetojnë edhe njëherë tre golat ndaj Brazilit të ulur në tribunat e stadiumit të vjetër “Sarrià” në Barcelonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →