E vetmja rrugë për t’u dhënë kuptim 2 fi toreve të para të Ligës së Kombeve është fitorja e të tretës, që do të luhet sot në mbrëmje në “Olimpico”. I të njëjtit mendim është edhe trajneri Luçiano Spaleti, i cili thotë se duhet patjetër që skuadra e tij të marrë 3 pikët në mënyrë që të vazhdojë ecurinë pozitive që ka nisur në këtë kompeticion.“Ne duhet që t’i japim vazhdimësi dy ndeshjeve që kemi bërë në shtator. Për këtë arsye, duhet patjetër që të fitojmë ndaj Belgjikës. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë sepse ata kanë ekip të fortë dhe duan gjithashtu që të marrin pikë”, tha trajneri italian.
Pavarësisht vështirësive që ka kjo ndeshje, axurrët duan që të blindojnë vendin e parë në grup pas 2 fitoreve me Francën dhe Izraelin.
“Unë i kam parë lojtarët shumë mirë dhe të karikuar në këtë grumbullim. Kjo do të thotë se kemi një grup interesant, mbi të cilët po punojmë për të ndërtuar të ardhmen e Italisë. Të gjithë shtyjnë nga e njëjta anë dhe me një energji të jashtëzakonshme për të treguar se janë në një moment shumë pozitiv”, vazhdoi më tej Spaleti.
Ai gjithashtu foli edhe për lojtarët e rinj që kanë ardhur në kombëtare duke i vlerësuar maksimalisht dhe duke thënë se të gjithë janë gati për të luajtur nga minuta e parë.
“Të gjithë janë gati. Nëse i kam grumbulluar ka një arsye dhe ata mund të luajnë si nga fillimi ashtu edhe në mesin e ndeshjes. E rëndësishme është që të gjithë duan të japin kontribut këtu dhe të tregojnë se kjo Itali mund të bëjë gjëra të mëdha në pak kohë”, përfundoi deklaratën e tij për mediat trajneri Spaleti.
TIFOZËT- Ndeshja mes Italisë dhe Belgjikës do të luhet në “Olimpico” të Romës dhe deri ditën e djeshme ishin shitur 30 mijë bileta. Nuk përjashtohet mundësia që numri të pësojë një rritje të konsiderueshme ditën e sotme, ku axurrët kërkojnë mbështetje maksimale për të fituar ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve. Një fitore do të ishte shumë e rëndësishme sepse do të konfirmonte momentin pozitiv që po kalon Italia dhe rikthimin e saj mes ekipeve pretendente në Europë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL